Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me mungesën e ujit të pijshëm në Vlorë, problematikë që prej disa ditësh ka shkaktuar pakënaqësi dhe reagime nga qytetarët.
Në një postim në rrjetet sociale, Rama ka publikuar pamje nga dëmtimi i pësuar në Ujësjellësin e Vlorës, si edhe nga pajisjet e reja që po transportohen nga Stambolli për riparimin e defektit. Sipas tij, pajisjet e instaluara në ujësjellës që prej viteve 2009–2010 kanë qenë jashtë standardeve dhe nuk kanë përballuar më presionin e ujit, duke çuar në shpërthimin e tubacionit.
“Pjesët e reja hidraulike janë nisur drejt Shqipërisë për të mbërritur brenda ditës, me qëllim riparimin e defektit të rëndë në ujësjellësin e Vlorës, ku janë instaluar pjesë jashtë standardeve që nuk e kanë mbajtur dot më presionin e ujit,” shkruan Rama.
Kryeministri ka vlerësuar punën e punëtorëve të ujësjellësit të Vlorës, duke theksuar se ata po punojnë pa ndërprerje nën drejtimin e drejtorit të përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve, Flauers Shoshi, për të zgjidhur situatën.
Ai e cilëson defektin si “një plagë të hapur në trupin e Vlorës”, të shkaktuar nga probleme të trashëguara nga e kaluara, ndërsa u ka kërkuar ndjesë qytetarëve për vështirësitë e krijuara.
“Vlonjatëve të mi u them ndjesë për këtë peripeci të pamerituar. Kush i do të keqen Vlorës, veç të keqen do i marrë,” përfundon Rama në reagimin e tij.
Autoritetet pritet të njoftojnë në vijim për normalizimin e furnizimit me ujë të pijshëm pas përfundimit të ndërhyrjeve teknike.



