Kryeministri Edi Rama zhvilloi këtë të premte një takim me kryetarët e bashkive, ku theksoi se performanca e institucioneve vendore është ende larg pritshmërive. Në qendër të diskutimit ishte ndërtimi pa leje, sidomos në zonat e mbrojtura dhe turistike si Thethi e bregdeti.
Rama u ndal veçanërisht te shkarkimi i drejtorit të Policisë së Shkodrës, duke e cilësuar atë si një mesazh të qartë për të gjithë drejtuesit e policisë në qarqe dhe shefat e komisariateve:
“Asnjë nuk mund të justifikohet me ‘nuk dija gjë’. Nuk po flasim për një tavolinë me katër karrige, por për 40 ndërtime pa leje.”
Ai kritikoi ashpër standardet e dyfishta të zbatimit të ligjit:
“Policia shkon në majë të malit kur një fshatar ndërton një avlli, por nuk sheh kur ndërtohen resorte që derdhin dheun në det, duke kthyer Jonin në një lumë të ndotur.”
Kryeministri u shpreh se shteti nuk do të tolerojë më asnjë rast ndërtimi të paligjshëm, veçanërisht në zonat e mbrojtura, në bregdet dhe qendrat turistike.
“Të gjithë drejtuesit lokalë të policisë do të mbajnë përgjegjësi direkte për çdo ndërhyrje të paligjshme në territor,” – paralajmëroi ai.
Deklaratat e Ramës vijnë pas disa denoncimeve publike për betonizimin e zonave të mbrojtura në veri të vendit dhe ndërtimet pa leje që po dëmtojnë rëndë trashëgiminë natyrore dhe imazhin turistik të Shqipërisë.