Kryeministri Edi Rama, gjatë pjesëmarrjes në aktivitetin “Me fermerët në Shqipërinë 2030”, u ndal te sfidat që e presin bujqësinë shqiptare në procesin e integrimit europian, duke theksuar se kontrata e anëtarësimit me Bashkimin Europian për sektorin e bujqësisë është ndër më të vështirat, por njëkohësisht edhe më të rëndësishmet.
Në fjalën e tij, Rama theksoi se integrimi në BE nuk është thjesht një proces formal apo një dokument i shkruar në letër, por një kontratë shtetërore shumë komplekse, që kërkon përgatitje reale dhe përshtatje me standarde të larta, veçanërisht në bujqësi.
“Negociatat me BE-në dhe marrëveshja e anëtarësimit nuk janë fjalë dhe as procese burokratike. Ato janë një kontratë shtetërore shumë komplekse. Kontrata për bujqësinë është më e vështira, por edhe më e mirëpritura për ata që janë të përgatitur për t’u përballur me kushtet dhe kontrollet”, u shpreh kryeministri.
Rama theksoi se sfida e tregut europian ka dy anë: atë të errët dhe atë të ndritur. Sipas tij, ana e errët i pret ata që nuk janë të përgatitur për standardet dhe konkurrencën e BE-së, ndërsa ana e ndritur është një mundësi reale zhvillimi për fermerët që investojnë, modernizohen dhe përshtaten me kërkesat e tregut europian.
Ai shprehu besimin e tij te fermerët shqiptarë, duke kujtuar vështirësitë me të cilat ata janë përballur një dekadë më parë. Rama theksoi se ata që kanë kaluar sfidën e mbijetesës në kushte shumë më të vështira, kanë potencialin dhe vullnetin për të përballuar edhe sfidën e re të integrimit europian.
“Kush e ka kaluar atë sfidë të jashtëzakonshme mbijetese, jam i bindur se do ta kalojë edhe këtë. Kjo lidhet drejtpërdrejt me vullnetin për të pasur sukses”, tha Rama.
Kryeministri u ndal edhe te mbështetja shtetërore për sektorin e bujqësisë, duke theksuar se ky sektor dikur ishte i braktisur pothuajse totalisht. Ai bëri një krahasim mes situatës së disa viteve më parë dhe asaj aktuale, duke theksuar rritjen e ndjeshme të numrit të fermerëve që përfitojnë mbështetje financiare nga shteti.
“Sot kemi 67 mijë e 500 fermerë që përfitojnë mbështetje nga shteti, ndërsa më parë ky numër ishte vetëm 5 mijë e 600. Kjo mbështetje sot peshon realisht në portofolin e fermës”, u shpreh Rama.
Aktiviteti “Me fermerët në Shqipërinë 2030”, i organizuar nga Ministria e Bujqësisë, synon diskutimin e planit të veprimit për zhvillimin e sektorit bujqësor dhe përgatitjen e tij për përballjen me standardet dhe konkurrencën e tregut europian, në kuadër të synimit të Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Europian.



