Kryeministri Edi Rama kërkoi nga ambasadorët shqiptarë të përqendrojnë punën e tyre tek objektivi kryesor i vendit, anëtarësimi në Bashkimin Europian. Në fjalën e mbajtur në Konferencën e Ambasadorëve Diplo2025, me temë “Shqipëria 2030: në Evropë, e ndërlidhur me botën”, kreu i qeverisë theksoi se çdo ditë e katër viteve të ardhshme duhet vënë në funksion të këtij synimi historik.
Një nga pikat ku Rama ndali kritikën ishte diplomacia ekonomike, të cilën e konsideroi si hallkën më të dobët të shërbimit diplomatik.
“Roli i përfaqësive tona është i dobët dhe, përveç rasteve specifike që lidhen me vullnetin e ndonjë ambasadori, kontributi është inekzistent. Është bërë një konferencë e dedikuar për diplomacinë ekonomike, por rezultatet lënë për të dëshiruar. Ky aspekt duhet të jetë prioritet i ambasadave”, tha Rama.
Ai theksoi se sot komunikimi me kancelaritë europiane është shumë më i drejtpërdrejtë dhe kjo duhet shfrytëzuar për të forcuar lidhjet ekonomike të Shqipërisë me botën.
“Kemi çuar në një nivel tjetër marrëdhëniet me disa nga vendet kryesore të Gjirit dhe presim që edhe shërbimi diplomatik të ngrihet në të njëjtin nivel, e pse jo, të shkojë edhe më tutje. Rezultati lë shumë për të dëshiruar”, shtoi Rama.



