Kryeministri Edi Rama zhvilloi këtë të mërkurë në Bruksel një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte. Biseda në selinë e Aleancës së Atlantikut të Veriut u fokusua te roli i Shqipërisë në NATO, mbështetja për Ukrainën dhe projektet e ardhshme për zhvillimin e industrisë së mbrojtjes.
Rutte vlerësoi kontributin e vendit tonë, duke theksuar se Shqipëria këtë vit do të arrijë nivelin 2% të shpenzimeve për mbrojtjen. Ai nënvizoi rëndësinë e zhvillimit të industrisë së mbrojtjes dhe kontributin shqiptar në trajnimin e pilotëve e teknikëve ukrainas.
Nga ana e tij, Kryeministri Rama falënderoi për mikpritjen dhe u shpreh se Shqipëria është e vendosur të japë më shumë kontribut në sigurinë euroatlantike. Ai foli për projektin strategjik të ndërtimit të një porti ushtarak në Porto Romano, që do të realizohet në bashkëpunim me NATO-n, si dhe për interesin e Tiranës për të aksesuar programin “Safe” të Bashkimit Evropian.



