Në kryeqytetin e Danimarkës, Kopenhagen, po zhvillohet Samiti i 7-të i Komunitetit Politik Evropian, ku marrin pjesë udhëheqës nga gjithë Evropa. Në takim janë të pranishëm liderët e 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, si dhe përfaqësues nga 22 vende të tjera, përfshirë kryeministrin shqiptar, Edi Rama, dhe presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
Kryeministri Edi Rama, në një deklaratë për gazetarët, theksoi se Shqipëria po përparon me shpejtësi drejt anëtarësimit në BE. “Nuk po presim, po vrapojmë shumë shpejt dhe do të jemi gati shumë shpejt,” u shpreh Rama, duke përmendur edhe çështjet e Diellës dhe sulmet kibernetike të Iranit.
Samiti vjen një ditë pas takimit joformal të Këshillit Evropian, i cili pati në fokus situatën në Ukrainë dhe çështjet e mbrojtjes evropiane. Pas diskutimeve, udhëheqësit morën pjesë në një darkë të organizuar nga Mbreti Frederik X dhe Mbretëresha Margrethe II në Pallatin Amalienborg.
Ky takim i Komunitetit Politik Evropian pason samitin e gjashtë, që u mbajt më 16 maj në Tiranë, me temën “Evropa e Re në një botë të re: unitet – bashkëpunim – veprim i përbashkët”, duke theksuar vazhdimësinë e dialogut dhe bashkëpunimit mes vendeve europiane dhe atyre që aspirojnë anëtarësimin në BE.