Në një nga skenat më të rralla të kulturës europiane, Kryeministri Edi Rama mbajti fjalën e rastit në ceremoninë e hapjes së festivalit “Herrenchiemsee Festspiele”, ku ishte i ftuar nderi nga qeveria e Bavarisë. Nën harqet e pallatit të ndërtuar nga mbreti romantik Ludvig II, Rama dha një mesazh të fuqishëm për rolin e shpirtit dhe bukurisë në identitetin europian.
“Europa ka qenë dhe duhet të mbetet një civilizim. Një mënyrë për të ndjerë botën,” u shpreh Rama, duke i dhënë peshë artit dhe kulturës si armë rezistence ndaj cinizmit politik dhe burokratizimit të vlerave.
Ai evokoi historinë personale nga Shqipëria e izoluar e diktaturës dhe ndikimin që pati kultura europiane, pavarësisht mureve, në formimin e tij. “E mbaj mend si fëmijë kur pashë ‘Ludwig’ me antenë të ndaluar dhe ekran bardhë e zi… Ai film la gjurmë tek unë,” tregoi Rama.
Në mesazhin e tij, ai theksoi se fuqia ekonomike dhe thellësia kulturore duhet të ecin bashkë: “Begatia pa poezi është e zbrazët, pushteti pa kujtesë është i verbër, Europa pa shpirt nuk është më Europë.”
Kryeministri përmendi edhe vizitën historike të Franz Josef Strauss në Shqipërinë e vitit 1984, si një gjest që sot merr kuptim të ri në marrëdhëniet mes dy vendeve.