Kryeministri Edi Rama ka rikthyer në vëmendje debatin mbi kërkesën e gjyqtarëve për rritje pagash, gjatë një videoje të drejtpërdrejtë në Facebook të mërkurën. Kreu i qeverisë reagoi me tone të ashpra, duke akuzuar gjyqtarët për sulm publik ndaj qeverisë, kryeministrit dhe mediave.
Rama deklaroi se kërkesa e gjyqtarëve për rritje pagash ka një kosto prej 37 milionë eurosh nga buxheti i shtetit, duke theksuar se këto fonde duhet të hiqen nga sektorë të tjerë. Sipas tij, qytetarët duhet të informohen qartë për atë që po kërkohet dhe për arsyen pse qeveria është palë përballë tyre në Gjykatën Kushtetuese.
Kryeministri bëri publike edhe shifrat konkrete të rritjes së pagave të kërkuara, duke sqaruar se paga e gjyqtarëve të shkallës së parë synohet të rritet nga 3,360 euro në 3,500 euro, ajo e gjyqtarëve të Apelit nga 3,480 euro në 5,500 euro, ndërsa paga e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese në 5,800 euro. Ai përmendi gjithashtu se edhe për prokurorët e SPAK-ut parashikohet një rritje e konsiderueshme, ndonëse këta të fundit nuk i janë bashkuar kërkesës.
Rama akuzoi gjyqtarët se po japin gjykime politike dhe po veprojnë si palë, në vend që të ruajnë paanësinë dhe pavarësinë institucionale. Sipas tij, tentativa për të rritur pagat përmes gjykimit kushtetues përbën një precedent të papranueshëm.
Kreu i qeverisë theksoi gjithashtu se pagat aktuale të gjyqtarëve janë mbi mesataren rajonale dhe të krahasueshme me ato të vendeve europiane, si Greqia. Ai shtoi se ligji dhe Kushtetuta nuk parashikojnë rritje të tilla dhe se gjyqtarët nuk mund të jenë njëkohësisht arbitër dhe aktorë në një proces që i prek drejtpërdrejt.



