Në kuadër të 30-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në Këshillin e Europës dhe 35-vjetorit të krijimit të Komisionit të Venecias, kryeministri Edi Rama mbajti sot një fjalë në një konferencë të posaçme, ku vlerësoi rolin e këtij institucioni në proceset demokratike dhe reformuese të vendit.
Kreu i qeverisë theksoi se Komisioni i Venecias ka qenë dhe do të mbetet një pikë referimi e rëndësishme për Shqipërinë, në çdo fazë të zhvillimit institucional dhe të forcimit të shtetit të së drejtës.
“Komisioni i Venecias na ka ndihmuar të kuptojmë se si të bëjmë më mirë sa herë që kemi dilema në procesin e reformimit. Ka qenë një mbështetje e paçmuar për Shqipërinë në rritjen dhe forcimin e saj institucional,” – deklaroi Rama.
Kryeministri u ndal në mënyrë simbolike në rrugëtimin paralel të demokracisë shqiptare dhe Komisionit të Venecias, duke theksuar se të dy kanë “lindur në të njëjtën kohë”, në fillim të viteve ‘90.
“Simbolikisht mund të thuhet se Komisioni i Venecias dhe demokracia shqiptare janë shokë materniteti, kanë lindur në një kohë, në vitin 1990. Komisioni, si një fëmijë i Europës së ribashkuar në vlerat e lirisë; demokracia shqiptare, si një ëndërr e shumëpritur që më në fund nisi rrugën e saj,” – u shpreh Rama.
Sipas tij, historia e zhvillimit demokratik të Shqipërisë është ngushtësisht e lidhur me historinë e rritjes dhe të forcimit të ndikimit të Komisionit të Venecias, i cili ka qenë një partner i domosdoshëm në ndihmën për ndërtimin e institucioneve dhe përafrimin me standardet europiane.
Rama kujtoi se Komisioni i Venecias ka luajtur rol të rëndësishëm në hartimin e Kushtetutës së parë demokratike të Shqipërisë në vitin 1998, si dhe ka dhënë mendime kyçe për disa reforma të ndjeshme gjatë viteve.
“Komisioni i Venecias ka në bilancin e vet një kontribut të paçmuar për Kushtetutën e vitit 1998, si dhe një sërë ndërhyrjesh të rëndësishme ku opinioni i tij ka ndikuar në kahjen e procesit,” – nënvizoi ai.
Kryeministri veçoi dy kontribute madhore të Komisionit të Venecias në historinë e reformave shqiptare:
Këshillat për Kodin Zgjedhor, që kanë ndihmuar në përmirësimin e standardeve të garës demokratike;
Rolin udhërrëfyes në Reformën në Drejtësi, e cila, sipas tij, nuk do të ishte e mundur pa mbështetjen dhe ekspertizën e Komisionit.
“Pa Komisionin e Venecias, Shqipëria nuk do të kishte mundur të ndërmerrte procesin e vettingut – një element kyç i reformës në drejtësi. Ai ka qenë një udhërrëfyes i matur, që na ka ndihmuar të ruajmë busullën drejt rrugës së duhur,” – theksoi Rama.
Në përfundim të fjalës së tij, kreu i qeverisë ritheksoi rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit me Komisionin e Venecias dhe Këshillin e Europës, duke e cilësuar këtë partneritet si garanci për forcimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës në Shqipëri.