Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar masa të ashpra ndaj ndërtuesve që kryejnë ndërtime të paligjshme ose abuzojnë me lejet e ndërtimit. Gjatë prezantimit të paketës ligjore për mbrojtjen e pronës dhe territorit, Rama theksoi se ndërtuesit që shesin dy herë një apartament do të ndëshkohen dhe pronat do të konfiskohen menjëherë.
“Do të bëjmë të gjitha ndryshimet e nevojshme, duke ngarkuar me përgjegjësi çdo hallkë të zinxhirit të ndërtimit. Ndërtuesit që do të zihen në faj do të futen në listën e zezë dhe nuk do të mund të ndërtojnë më,” tha Rama.
Kryeministri paralajmëroi gjithashtu se masa do të synojë bllokimin e mashtrimeve ndaj qytetarëve, duke u siguruar që të gjithë ndërtuesit që abuzojnë me ligjin të ndëshkohen në mënyrë të menjëhershme. Rama theksoi rëndësinë e ndërhyrjes së shpejtë për të parandaluar fenomenet abuzive dhe për të mbrojtur pronën private dhe territorin e vendit.