Kryeministri Edi Rama njoftoi nga selia e Partisë Socialiste ndërhyrje të reja në drejtimin e Ujësjellësit të Bashkisë së Tiranës, duke paralajmëruar një reformë të thellë në nivel kombëtar për sektorin e ujit dhe të territorit.
Rama theksoi se qeveria ka nisur krijimin e një operatori kombëtar, i cili do të funksionojë në mënyrë të ngjashme me operatorin kombëtar të shpërndarjes së energjisë elektrike. Sipas tij, kjo kompani do të bashkëpunojë me bashkitë, të cilat do të jenë aksionere, por përgjegjësia e menaxhimit do të jetë e qeverisë.
“Do krijojmë një kompani të pozicionuar ndryshe, duke nisur nga burimet njerëzore që duhet të jenë kompetente”, tha Rama, duke shtuar se reforma synon të përmirësojë menaxhimin dhe efikasitetin e shërbimeve ndaj qytetarëve.



