Kryeministri Edi Rama ishte sot i pranishëm në Kongresin Ndërkombëtar të Nanoteknologjisë, një ngjarje që mblodhi ekspertë, shkencëtarë dhe politikbërës nga vende të ndryshme, ku u diskutua mbi mundësitë që hap ky sektor për zhvillimin ekonomik dhe teknologjik.
Në fjalën e tij, Rama theksoi se Shqipëria është një vend që guxon të jetë pararojë në nisma inovative, duke e cilësuar inteligjencën artificiale si një përparësi kyçe për të ardhmen e vendit.
“Besoj që gjendemi në një akt të ri për Shqipërinë. Një komb që guxon të udhëheqë e jo të ndjekë. Duke krijuar një ministre të Inteligjencës Artificiale, e para në botë, Shqipëria nuk po përqafon vetëm të ardhmen, por po përpiqet ta projektojë atë,” u shpreh kryeministri.
Ai solli në vëmendje edhe projektin “Diella”, të cilin e cilësoi si një instrument që ka transformuar raportin mes shtetit dhe qytetarëve.
“Diella nuk është një lodër. Përmes saj kemi kthyer pushtetin e shtetit në pushtetin e shërbyesit. Shumë shpejt, me anë të saj, tenderët publikë do të jenë të hapur, transparentë dhe me integritet siç nuk është parë më parë,” tha Rama.
Kryeministri nënvizoi gjithashtu vizionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian, duke e lidhur atë me integritetin dhe inovacionin. Ai shtoi se qeveria do të investojë më shumë burime dhe reforma institucionale për të ndërtuar një ekosistem të nanoteknologjisë me qendër në Tiranë.
“Çdo terren shkencor, çdo projekt infrastrukture duhet të ketë standarde të larta dhe mbikëqyrje të mbështetur nga inteligjenca artificiale,” përfundoi Rama.