Kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që rikthen në detyrë kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj. Përmes një postimi në platformën X, Rama ka komentuar vendimin duke kërkuar që Gjykata Kushtetuese të shkojë edhe një hap më tej, duke lejuar rikthimin e Veliajt në detyrë në gjendje të lirë.
“Disa rrjedhime logjike nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese:
Ja që edhe njëherë u provua se nuk i paskam kapur unë të tëra pushtetet dhe kjo është një gjë sa e qartë, aq edhe e mirë apo jo,” – shkruan Rama.
Sipas tij, vendimi i Kushtetueses ka sjellë një situatë absurde në drejtimin e kryeqytetit, pasi Tirana rrezikon të mbetet pa drejtues deri në zgjedhjet e vitit 2027.
“Nëse Tirana nuk do të ketë zgjedhje deri në 2027 dhe Kushtetuesja mendon se kryebashkiaku i burgosur i Tiranës nuk mund të largohet përveçse me zgjedhje, atëherë disproporcioni i mbajtjes së tij në qeli nuk është më thjesht në dëm të lirive e të drejtave kushtetuese të personit, por edhe në dëm të së drejtës kushtetuese të popullit të kryeqytetit për t’u shërbyer nga i zgjedhuri i vet,” – thekson Rama.
Kreu i qeverisë shton se pret që e njëjta “parimësi” që tregoi Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj, të ndiqet edhe kur të shqyrtohet paraburgimi i Veliajt.
“Çdo njeri normal që nuk sheh tek qëndrimi i Kushtetueses një qëndrim të verbër kundër qeverisë, në dëm të madh të Tiranës, po një qëndrim parimor, nuk ka se si të mos presë që me të njëjtën parimësi, kur të gjykojë paraburgimin e tij, Kushtetuesja ta kthejë Erion Veliajn në detyrë, për të vijuar procesin gjyqësor në gjendje të lirë,” – shkruan Rama.
Në fund, kryeministri apelon për zgjidhje të ngërçit që, sipas tij, po dëmton drejtimin e kryeqytetit.
“Le të urojmë që kushdo ka në dorë ta ndihmojë zgjidhjen e këtij ngërçi absurd, të kujtohet se kryeqyteti nuk mund të trajtohet si jetim për vite me radhë,” – përfundon Rama.



                                    