Kryeministri Edi Rama ndodhet në qytetin e Fierit, ku ka zhvilluar një mbledhje urgjente në ambientet e Bashkisë me drejtuesit vendorë dhe ata të institucioneve të varësisë.
Sipas burimeve nga brenda mbledhjes, Rama ka kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të të gjithë drejtorëve që varen nga bashkia, si dhe të atyre që nuk kanë përmbushur detyrat, duke i cilësuar si të paaftë dhe të papërgjegjshëm për zhvillimin e qytetit.
“Nëse nuk largoheni vetë, do të largoheni nga detyra, sepse Fierit i duhen drejtues që punojnë, jo që fshihen pas kolltukut”, mësohet të ketë thënë Rama sipas të njëjtave burime.
Ky është rasti i dytë brenda pak ditësh që kreu i qeverisë ndërhyn direkt në strukturat drejtuese të pushtetit lokal. Pak ditë më parë, në një mbledhje të ngjashme në Bashkinë e Vlorës, Rama kërkoi dorëheqjen kolektive të drejtorëve lokalë, duke e konsideruar performancën e tyre si “të papranueshme”.
Lëvizjet e fundit të Ramës duket se janë pjesë e një aksioni më të gjerë për spastrimin e administratës vendore, në prag të përgatitjeve për sezonin e ri politik dhe institucional.