Protesta e zhvilluar së fundmi nga mbështetës të opozitës, e drejtuar nga ish-kryeministri Sali Berisha, ka prodhuar pasoja të forta politike dhe institucionale, pas incidenteve të rënda që u shënuan gjatë tubimit në Tiranë.
Sipas raportimeve dhe pamjeve të publikuara në media, gjatë protestës janë hedhur mjete ndezëse në drejtim të vilës së ish-diktatorit Enver Hoxha, e cila aktualisht funksionon si qendër kulturore. Në momentin e incidentit, brenda ambienteve ndodheshin artistë dhe pjesëmarrës në aktivitete kulturore, çka ka ngritur shqetësime serioze për sigurinë e tyre.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta politike, ndërsa qeveria e ka cilësuar episodin si një përshkallëzim të rrezikshëm të dhunës. Burime zyrtare bëjnë me dije se kryeministri Edi Rama ka ndërmarrë masa të menjëhershme në kupolën e rendit dhe sigurisë.
Mësohet se është shkarkuar nga detyra Drejtori i Përgjithshëm i Policia e Shtetit, Ilir Proda, si edhe drejtori i Policia e Tiranes, Elton Alushi. Vendimi vjen në një moment kritik, ku po analizohet reagimi institucional ndaj përshkallëzimit të protestës dhe masave të marra për parandalimin e incidenteve të dhunshme.
Në vend të Prodës, në krye të Policisë së Shtetit është komanduar Sokol Bizhga, i cili pritet të marrë drejtimin e institucionit në një periudhë të tensionuar për rendin publik. Ndërkohë, ende nuk është bërë publik emri i zëvendësuesit të Alushit në krye të Policisë së Tiranës.
Burime pranë mazhorancës e lidhin shkarkimin me vlerësimin se strukturat e sigurisë nuk arritën të parandalonin në kohë aktet e dhunës dhe rrezikun e krijuar për persona të pafajshëm. Nga ana tjetër, përfaqësues të opozitës kanë deklaruar se përgjegjësia për tensionet bie mbi qeverinë, duke akuzuar për provokime dhe menaxhim të gabuar të situatës.
Ngjarja pritet të thellojë përplasjen politike mes mazhorancës dhe opozitës, ndërsa hetimet për incidentet e ndodhura gjatë protestës vijojnë. Autoritetet ende nuk kanë bërë të ditur nëse do të ketë procedime penale për organizatorët apo individët e përfshirë në aktet e dhunës.



