Kryeministri Edi Rama ka rikthyer vëmendjen te zaptimi i hapësirave publike nga bizneset, duke paralajmëruar masa të forta për ata që nuk i lirojnë trotuaret dhe ambientet e përbashkëta. Në një reagim në rrjetin “X” , Rama e cilësoi situatën në disa zona të Tiranës, si ajo te “21 Dhjetori”, si një shembull klasik të “tokës së zënë”.
Ai u bëri thirrje qytetarëve dhe bizneseve që të bashkëjetojnë në respekt të hapësirave të përbashkëta. “Shumica duhet të marrë mbrapsht atë që i takon, dhe pakica të kthejë atë që nuk i takon,” – shkruan Rama, duke akuzuar një pjesë të bizneseve për ngritjen e “barrikadave” me frigoriferë, tavolina, trarë apo ndarje metalike në trotuare e hapësira publike.
Kryeministri paralajmëroi se kush nuk i tërheq vetë këto objekte, do të përballet jo vetëm me gjoba administrative, por edhe me ndjekje penale për shkatërrim të pronës publike, cënim të sigurisë dhe shëndetit të qytetarëve, si dhe vepra të tjera të ngjashme.
Postimi i tij vjen në një kohë kur zaptimi i hapësirave publike është kthyer në shqetësim të përhershëm në kryeqytet dhe në qytete të tjera, sidomos gjatë sezonit veror. Rama nënvizoi se koha për mirëkuptim dhe ndërgjegjësim ka kaluar dhe tani është momenti për veprim.