Kryeministri Edi Rama ka publikuar sot në rrjetin “X” një mesazh të ardhur nga një “qytetar digjital”, i cili ngre shqetësimin për zaptimin e hapësirave publike në kompleksin ASL, pranë Spitalit të Neurokirurgjisë në Tiranë. Qytetari thekson se për banorët e zonës është bërë e vështirë lëvizja, për shkak të bizneseve që kanë zënë trotuaret dhe ambientet përreth pallateve.
Krahas postimit të mesazhit dhe një fotoje nga terreni, Kryeministri Rama i ka cilësuar këto si “barrikada tipike”, që duhet të hiqen menjëherë nga ata që i kanë vendosur, përpara se të përballen me gjoba dhe ndjekje penale.
“Barrikadat duhen shkulur nga vetë ngulësit e tyre, përpara se sa bashkë me shkuljen t’u mbetet në dorë edhe fatura e gjobës, bashkë me ndjekjen penale!” – shkruan Rama, duke rikthyer sërish vëmendjen te fushata për çlirimin e hapësirave publike.
Kjo ndërhyrje vjen në vazhdën e paralajmërimeve të tij ndaj bizneseve që shfrytëzojnë trotuaret për tavolina, frigoriferë apo struktura të paligjshme, sidomos në zonat urbane dhe rezidenciale të Tiranës.