Kryeministri Edi Rama ka vlerësuar lart rolin dhe qëndrueshmërinë e Bankës së Shqipërisë, duke e cilësuar atë si një nga institucionet më të konsoliduara të Republikës së Shqipërisë dhe një shembull që duhet ndjekur nga të gjitha institucionet e tjera të vendit.
Në një deklaratë publike, Rama tha se Banka e Shqipërisë përfaqëson standardet që i nevojiten një vendi për t’u konsideruar pjesë e botës së zhvilluar dhe për të qenë në një linjë me kërkesat e Bashkimit Evropian.
“Banka e Shqipërisë është një nga institucionet e Republikës sonë që mund të quhet vërtet institucion. Me ato standarde që kërkohen kur flasim për institucionet që i duhen një vendi për t’u përfshirë në botën e zhvilluar dhe në tryezën e BE-së,” – u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë theksoi se ndryshe nga shumë institucione të tjera që ende janë në proces formimi dhe konsolidimi, Banka e Shqipërisë ka arritur të ndërtojë një identitet të qëndrueshëm dhe një kulturë institucionale moderne.
“Do të ishte e dobishme që historia e zhvillimit dhe përpjekjeve të Bankës së Shqipërisë për t’u konsoliduar si institucion të dokumentohej dhe të shërbente si shembull për të tjerët,” – shtoi Rama.
Sipas tij, Banka e Shqipërisë është sot një institucion i integruar, gjë që dëshmohet edhe nga mënyra dhe përmbajtja e komunikimeve të saj zyrtare në vitet e fundit.
“Nuk është se Banka e Shqipërisë ka një histori më të gjatë se institucionet e tjera, por mënyra si është ndërtuar dhe konsoliduar e bën të dallohet,” – nënvizoi Kryeministri.
Në përmbyllje, Rama tha se pavarësisht sfidave që ka kaluar ndër vite, Banka e Shqipërisë është sot një institucion i besueshëm, që përfaqëson standardet moderne dhe pavarësinë që duhet të kenë institucionet publike.
“Edhe pse historia me Bankën e Shqipërisë nuk ka qenë bujare, ky është institucioni që na përfaqëson si model i asaj që duhet të jenë institucionet e pavarura të vendit,” – përfundoi Rama.



