Kryeministri Edi Rama ka komentuar për herë të parë publikisht valën e dorëheqjeve të drejtorëve në bashkitë kryesore të vendit, duke e quajtur këtë zhvillim “të domosdoshëm” për të dhënë një impuls të ri në funksionimin e pushtetit vendor.
Në një intervistë në rubrikën “Sy m’Sy”, kreu i qeverisë tha se dorëheqjet masive nuk ishin rezultat rastësor, por pjesë e një ndërhyrjeje të vetëdijshme nga qeveria qendrore për të “shkundur mekanizmat e topitur të disa bashkive” dhe për të adresuar problematika që, sipas tij, nuk kanë të bëjnë me mungesën e buxhetit, por me mungesën e vëmendjes dhe përkushtimit.
“Dorëheqjet nga strukturat e bashkive kryesore janë domosdoshmëri për t’i dhënë një impuls të ri, për të adresuar problematika që nuk lidhen me buxhete të mëdha, por me vëmendje të madhe dhe përkushtim të madh,” u shpreh Rama.
Ai përmendi si shembull Bashkinë e Vlorës, ku sipas tij, rezultatet pozitive janë ndjerë menjëherë, pa pasur nevojë për fonde shtesë.
“Vlora është rasti tipik. Çfarë ndryshimi po ndodh në një kohë të shkurtër, vetëm me më shumë vëmendje dhe angazhim. Është hapur një proces për përfshirjen e të rinjve, që duan t’i shërbejnë qytetit,” tha ai.
Kryeministri pranoi se ndërhyrja erdhi si pasojë e një situate jo funksionale në disa bashki, duke theksuar se në një shoqëri demokratike të konsoliduar, secili duhet të njohë kufirin e përgjegjësisë.
“U detyrova të ndërhyj duke parë disa gjëra që kishin nevojë për një shtytje të fortë nga lart. A duhet të ishin bërë pa këtë ndërhyrje? Po, por jo në kushtet ku ndodhemi. Shoqëritë demokratike funksionojnë kur secili e di kufirin e vet,” deklaroi Rama.
Duke i bërë thirrje qytetarëve të mos “fusim të gjithë në një thes”, kryeministri nënvizoi se ka shumë burime njerëzore të pashfrytëzuara në vend, të cilat, sipas tij, duhet të përfshihen më shumë në administratën vendore.
Ndërkohë, valën e dorëheqjeve në bashkitë kryesore, shumë analistë e kanë parë si një akt politik të koordinuar nga lart, ndërsa opozita ka kërkuar sqarime lidhur me motivet konkrete të këtij “tërmeti administrativ”.