back to top
12.5 C
Tirana
E mërkurë, 4 Mars, 2026
spot_img
KreuAktualitetRaporti për Ballukun ende në përgatitje/ Shumica do shfrytëzojë afatin dyjavor

Raporti për Ballukun ende në përgatitje/ Shumica do shfrytëzojë afatin dyjavor

Edhe pse Gjykata Kushtetuese i dha të drejtë opozitës duke i cilësuar si të papajtueshme me Kushtetutën ndryshimet e Rregullores së Kuvendit të miratuara në shtator me procedurë të përshpejtuar, kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, shprehet i bindur se Kuvendi ka vepruar brenda tagrave të tij kushtetues.

Në një intervistë për Tv Klan, Balla theksoi se, bazuar në nenin 73 të Kushtetutës, Kuvendi ka të drejtën të vendosë për organizimin dhe funksionimin e tij, përfshirë edhe ristrukturimin e komisioneve parlamentare.

“Është në të drejtën e Kuvendit, bazuar në nenin 73 të Kushtetutës, të vendosë”, u shpreh ai, duke shtuar se modeli me 11 komisione parlamentare është provuar më efektiv sesa struktura me 8 komisione.

Ndryshime në raportimin e institucioneve të pavarura

Përtej çështjes së komisioneve, socialistët kanë propozuar edhe ndryshime në mënyrën e raportimit dhe monitorimit të institucioneve të pavarura. Sipas Ballës, këto ndryshime nuk synojnë shtim kontrolli politik, por përmirësim të mekanizmave të mbikëqyrjes parlamentare.

Ai sqaroi se institucionet e pavarura do të vijojnë të raportojnë në komisionet përgjegjëse, por njëkohësisht do të paraqiten edhe përpara komisionit të nismës qytetare. Ndërkohë, krerët e institucioneve do të dëgjohen në komisione, ndërsa në seancë plenare do të shqyrtohet vetëm raporti përkatës.

I pyetur nëse kjo përbën një lëvizje për më shumë kontroll mbi institucionet e pavarura, Balla e mohoi një gjë të tillë, duke argumentuar se një nga problematikat aktuale është mungesa e ndjekjes së zbatimit të rekomandimeve të Kuvendit.

“Një nga dështimet e Kuvendit është që pasi jep rekomandime, nuk ka më kontroll nëse ato zbatohen. Inspektimet në institucione janë praktikë ndërkombëtare parlamentare”, theksoi ai.

Propozimi për uljen e kohës së diskutimeve

Një tjetër propozim i socialistëve është ulja e kohës së diskutimit të projektligjeve në seancë plenare nga 10 në 5 minuta për deputet.

Sipas Ballës, kjo nuk cenon të drejtën e fjalës së deputetëve, por përfaqëson një standard europian dhe një formë respekti për kohën dhe eficiencën e punës parlamentare.

“Ky është një model respekti për deputetët. Nga 10 minuta për 140 deputetë është shumë…”, u shpreh ai.

Afati për kërkesën e SPAK për Ballukun

Sa i përket kërkesës së SPAK për Belinda Ballukun, Balla bëri me dije se shumica do të shfrytëzojë të gjithë afatin dyjavor për shqyrtimin e saj.

Ai theksoi se raporti i socialistëve është ende në përgatitje dhe do të depozitohet në Kuvend brenda afatit, ndërsa 83 deputetët e Partisë Socialiste do të njihen fillimisht me përmbajtjen e tij përpara se çështja të kalojë në seancë plenare.

Megjithatë, Balla nuk pranoi të zbulojë qëndrimin që do të mbajë shumica në votimin përfundimtar, duke lënë të hapur debatin politik për këtë çështje.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat