Shërbimi i Inteligjencës së Jashtme i Rusisë ka propozuar organizimin e një atentati ndaj kryeministrit hungarez Viktor Orban, me qëllim përmirësimin e rezultateve të tij në zgjedhjet parlamentare të prillit, shkruan The Washington Post duke iu referuar informacionit nga një shërbim inteligjence evropian.
Gazeta Washington Post raportoi se muajin e kaluar një njësi nga Shërbimi i Inteligjencës së Jashtme të Rusisë, SVR , kishte ngritur alarmin për një rënie të ndjeshme të mbështetjes publike për Viktor Orbán përpara zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.
Një raport i brendshëm nga operativët rusë, i siguruar nga shërbimi i inteligjencës evropiane, tha se është e nevojshme të zbatohet një strategji e aftë të “ndryshojë rrënjësisht të gjithë paradigmën e fushatës zgjedhore” duke organizuar një “përpjekje për vrasje” të Orbanit.
“Një incident i tillë do ta zhvendosë perceptimin e fushatës nga sfera racionale e çështjeve socioekonomike në një sferë emocionale, ku temat kryesore do të bëhen siguria shtetërore dhe stabiliteti e mbrojtja e sistemit politik”, thuhet në raportin për njësinë kryesore të SVR-së për operacionet e ndikimit politik, Drejtoria MS, ose Departamenti i Masave Aktive.
Deri më tani nuk ka pasur sulme fizike ndaj Orban. Megjithatë, faktet e paraqitura tregojnë se sa të larta janë rreziqet për Rusinë në zgjedhjet hungareze.
Orbán ka mbështetur vazhdimisht interesat e Moskës brenda BE-së dhe NATO-s dhe aktualisht po përdor veton e tij për të bllokuar ndihmën financiare jetike për Ukrainën. Zëdhënësi i Orban, Zoltán Kovács, nuk iu përgjigj një kërkese për koment mbi raportin e SVR-së, ndërhyrjen e mundshme të Rusisë në zgjedhje apo lidhjet e kryeministrit me Moskën. Nga ana tjetër Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, pretendoi se informacioni në lidhje me raportin është “dezinformim”.



