back to top
19.5 C
Tirana
E mërkurë, 8 Prill, 2026
spot_img
KreuAktualitetRrogozhina pa kryetar bashkie/ Rasti Memolla, politika bllokon procesin ligjor?

Rrogozhina pa kryetar bashkie/ Rasti Memolla, politika bllokon procesin ligjor?

Rasti i Rrogozhinës po shihet si një shembull shqetësues i shmangies nga fryma e ligjit dhe standardet e demokracisë përfaqësuese në Shqipëri. Sipas monitorimit të bërë nga Instituti i Studimeve Politike (ISP), institucionet përgjegjëse nuk kanë vepruar brenda afateve ligjore për trajtimin e vakancës në drejtimin e bashkisë.

ISP thekson se në raste të ngjashme, sidomos Këshilli i Ministrave, ka dështuar të ushtrojë në kohë përgjegjësitë e veta, duke bërë që procesi i shpalljes së zgjedhjeve të pjesshme të ndikohet nga agjenda politike dhe jo nga detyrimet ligjore.

Sipas analizës, nëse do të ishin respektuar afatet, Prefekti i Tiranës do të kishte njoftuar qeverinë në mes të shkurtit, më pas qeveria do të informonte Presidenti i Republikës së Shqipërisë dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ndërsa zgjedhjet do të duhej të dekretoheshin për periudhën 15–25 mars 2026. Megjithatë, deri në fillim të prillit, këto procedura nuk janë përmbushur.

Në qendër të çështjes është ish-kryetari i Bashkisë së Rrogozhinës, Edison Memolla, i cili pas tre mandatesh është shpallur fajtor për ndikim në zgjedhje dhe është dënuar me një vit burg nga Gjykata e Posaçme e Apelit.

ISP nënvizon gjithashtu se, pavarësisht dënimit, zyrtari në fjalë vijon të mbajë rol në strukturat drejtuese të forcës së tij politike, duke ngritur pikëpyetje mbi zbatimin e standardeve të dekriminalizimit edhe brenda partive politike.

Një tjetër shqetësim lidhet me transparencën institucionale: në faqen zyrtare të bashkisë, ish-kryetari i dënuar vijon të figurojë ende në detyrë, çka konsiderohet si mungesë e informimit korrekt dhe e llogaridhënies ndaj publikut.

Sipas ISP, mbrojtja publike që i është bërë rastit nga figura të njohura politike përbën një mundësi të humbur për të distancuar politikën nga shkeljet ligjore dhe krimet zgjedhore.

Instituti thekson se respektimi i ligjit, pavarësisht interesave politike, është një standard i panegociueshëm për një vend që aspiron integrimin në Bashkimin Evropian.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat