back to top
9.5 C
Tirana
E premte, 20 Shkurt, 2026
spot_img
KreuAktualitetReforma e gjelbër/ Qeveria unifikon institucionet për mbrojtjen e natyrës

Reforma e gjelbër/ Qeveria unifikon institucionet për mbrojtjen e natyrës

Kryeministri Edi Rama mori pjesë këtë të premte në aktivitetin me temë “Për ty, natyrë”, ku vuri në fokus prioritetet e Qeverisë për mbrojtjen e mjedisit, administrimin e qëndrueshëm të pyjeve dhe avancimin e Shqipërisë drejt një faze të re të procesit të integrimit europian. Rama nënvizoi se sfidat mjedisore janë të lidhura drejtpërdrejt me përmbushjen e kritereve të BE-së, për këtë arsye qeveria po ndërmerr reforma të thella në menaxhimin e territorit dhe biodiversitetit.

Kryeministri paralajmëroi një reformë të madhe në modelin e administrimit të pyjeve, duke theksuar se aktualisht sistemi është i fragmentuar dhe jo efikas. Ai bëri të ditur se dy institucionet kryesore të mbrojtjes së territorit – Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura dhe Agjencia Kombëtare e Pyjeve – do të ristrukturohen dhe bashkohen në një institucion të vetëm. Sipas tij, kjo ndërhyrje synon që administrimi të jetë unik, i standardizuar dhe shumë më i efektshëm në luftën ndaj shkeljeve mjedisore.

Në fjalën e tij, Rama theksoi se vendi ka një histori të gjatë problemesh me ndërtime pa leje, ndotje dhe dëmtim të natyrës, por se në vitet e fundit është arritur një kontroll më i mirë mbi territorin dhe një ulje e ndjeshme e krimeve mjedisore. Megjithatë, kryeministri pranoi se problematikat nuk janë zhdukur dhe mbeten ende shqetësuese.

Një tjetër element thelbësor i reformës është krijimi i një sistemi kombëtar për monitorimin e biodiversitetit. Rama u shpreh se ky sistem do të garantojë një vëzhgim të vazhdueshëm dhe shkencor të gjendjes së florës dhe faunës në vend, si dhe do të ndihmojë në hartimin e politikave të reja mjedisore në përputhje me standardet e BE-së.

“Zonat natyrore në Shqipëri kanë qenë nën agresion të vazhdueshëm nga ndërtimet dhe ndotja,” u shpreh kryeministri, duke kërkuar një përfshirje më të madhe të institucioneve dhe komunitetit lokal në mbrojtjen e pasurive natyrore. Ai theksoi se menaxhimi i përbashkët i pyjeve dhe zonave të mbrojtura do të krijojë një mekanizëm më efikas për t’i mbrojtur ato nga ndërhyrjet e paligjshme.

Rama e lidh këtë reformë me procesin e negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian, duke theksuar se për të avancuar drejt kapitujve të rinj, Shqipëria duhet të tregojë progres të qëndrueshëm në fushën e mjedisit dhe planifikimit të territorit.

Reforma e paralajmëruar pritet të nisë zyrtarisht në javët në vijim, ndërsa ndryshimet strukturore të agjencive do të shoqërohen me një plan të ri menaxhimi dhe standardizimi të plotë të shërbimeve.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat