Është zbardhur drafti i dakordësuar mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore, një nga angazhimet kryesore politike në prag të zgjedhjeve të vitit 2027.
Sipas dokumentit të dakordësuar, Komisioni do të ketë si objekt kryesor hartimin e ndryshimeve ligjore që lidhen me procesin zgjedhor, si dhe adresimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet vendore të 14 majit 2023, ato parlamentare të 11 majit 2025, si dhe zgjedhjet e mëparshme të patrajtuara.
Gjithashtu, Komisioni do të trajtojë propozimet e institucioneve përgjegjëse për zgjedhjet, të partive politike parlamentare dhe të organizatave jofitimprurëse, si dhe do të hartojë një ligj të ri për financimin e partive politike.
Përbërja dhe drejtimi i Komisionit
Komisioni i Posaçëm do të ngrihet mbi bazën e barazisë pozitë-opozitë, me 16 anëtarë në total:
7 përfaqësues nga Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste,
7 nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike,
dhe 2 anëtarë nga partitë që kanë fituar të paktën dy mandate në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025.
Në krye të tij do të jenë dy bashkëkryetarë, një nga mazhoranca dhe një nga opozita.
Pranë Komisionit do të ngrihet gjithashtu një grup ekspertësh teknikë, me përbërje dhe rregull pune që do të përcaktohen me vendim të vetë Komisionit.
Pjesëmarrja ndërkombëtare dhe mënyra e vendimmarrjes
Në punimet e Komisionit do të ftohen për asistencë dhe ekspertizë përfaqësues të OSBE-së në Shqipëri, OSBE/ODIHR-it, Këshillit të Europës, Komisionit të Venecias, si dhe të Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Çdo parti pjesëmarrëse do të ketë të drejtë të propozojë amendamente, ndërsa konsensusi mbetet parimi themelor i vendimmarrjes.
Vendimet e Komisionit do të miratohen me shumicën e votave të të gjithë anëtarëve, por vetëm kur kanë miratimin e njëkohshëm të të dy bashkëkryetarëve.
Afatet e punës dhe mbështetja institucionale
Komisioni do të funksionojë për një afat 9-mujor nga momenti i miratimit të vendimit në Kuvend.
Nëse do të ketë nevojë për zgjatje, kjo mund të bëhet vetëm me vendim të veçantë të Kuvendit, me kërkesë të përbashkët të dy bashkëkryetarëve.
Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit do të ngarkohet për krijimin e kushteve të punës, duke siguruar mbështetje njerëzore, financiare dhe logjistike për veprimtarinë e Komisionit dhe të grupit të ekspertëve.
Vendimi hyn në fuqi menjëherë pas miratimit.



