back to top
22.5 C
Tirana
E mërkurë, 15 Tetor, 2025
spot_img
KreuAktualitetEkonomiaTregu i kartave të kreditit/ Rënie për bankat kryesore, rritje për konkurentët

Tregu i kartave të kreditit/ Rënie për bankat kryesore, rritje për konkurentët

Tregu i kartave të kreditit në Shqipëri pësoi një rënie gjatë vitit 2024, sipas të dhënave nga Shoqata Shqiptare e Bankave. Në fund të vitit, numri i kartave aktive ishte 113,290, duke shënuar një ulje prej 6.1% krahasuar me një vit më parë.

Rënia vjen kryesisht nga dy bankat kryesore, Banka Kombëtare Tregtare (BKT) dhe Raiffeisen Bank, të cilat kanë humbur pjesë të tregut. Megjithatë, ato vazhdojnë të dominojnë sektorin, duke zotëruar së bashku 64% të tregut. Konkretisht, BKT ka zbritur në 32.2%, nga 36.3% që kishte një vit më parë, ndërsa Raiffeisen Bank ka rënë në 31.9%, nga 34.1%.

Ndërkohë, bankat e tjera kanë shënuar rritje. Union Bank ka arritur në 8% të tregut, Tirana Bank dhe Credins Bank kanë shënuar secila 6.6%, duke rritur ndjeshëm pjesën e tyre krahasuar me vitin 2023.

Pavarësisht rënies së numrit të kartave, pagesat me kartë janë rritur ndjeshëm, nxitur edhe nga turistët e huaj. Gjatë vitit 2024, transaksionet në terminalet POS arritën në 19.6 milionë, një rritje prej 35% krahasuar me një vit më parë.

Sektori i kartave të kreditit mbetet ende relativisht i vogël në Shqipëri, pjesërisht për shkak të përdorimit të lartë të parasë fizike dhe informalitetit në ekonomi. Normat mesatare efektive të interesit për kartat e kreditit kanë ndryshuar lehtë: për kartat në Lekë ato janë 20.29%, ndërsa për kartat në Euro 16.95%.

Analistët vlerësojnë se, megjithëse pagesat elektronike po rriten, kartat e kreditit mbeten një produkt me përdorim të kufizuar, kryesisht për pagesa jo cash dhe me një rrezik më të lartë krahasuar me kreditë e tjera konsumatore.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat