Euro ka vijuar të dobësohet ndaj lekut, duke shënuar nivelin më të ulët të dhjetë viteve të fundit. Sipas kursit të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, java e kaluar u mbyll me 96.22 lekë për një euro, duke ndikuar drejtpërdrejt në të ardhurat e qytetarëve që paguhen në këtë valutë.
Ekspertët shpjegojnë se zhvlerësimi i euros ka ardhur si pasojë e një prezence të lartë të saj në tregun vendas, e ndikuar kryesisht nga turizmi, remitancat dhe tkurrja e shpenzimeve qeveritare.
“Një prezencë e lartë e euros në vend padyshim që ka çuar në zhvlerësimin e saj dhe kemi arritur në nivelet që nuk i kemi parë më parë. Megjithatë, duhet theksuar se vitin e fundit ka qenë relativisht stabël”, – u shpreh eksperti i ekonomisë, Vaka.
Sipas tij, rritja e numrit të turistëve dhe e prurjeve nga emigrantët ka qenë e lartë, ndërsa reduktimi i shpenzimeve publike nga qeveria ka ndikuar në shtimin e ofertës së euros në treg.
Zgjerimi i sezonit turistik po ndihmon gjithashtu në zbutjen e luhatjeve të forta të monedhës evropiane.
“Prezenca e turistëve në vend është shtrirë gjatë gjithë vitit. Nga të dhënat zyrtare vërehet një numër i lartë vizitorësh, si dhe rritje e shpenzimeve dhe konsumit nga ana e tyre”, – theksoi eksperti.
Rënia e euros sjell përfitime për familjet që kanë kredi në këtë valutë, për bizneset që importojnë nga eurozona dhe për qeverinë, e cila përfiton nga ulja e kostos së shlyerjes së borxheve në euro, duke liruar fonde për shpenzime të tjera.