back to top
26.5 C
Tirana
E shtunë, 21 Qershor, 2025
spot_img
KreuOpinion dhe AnalizëRepublika e inspektimeve!

Republika e inspektimeve!

Nga Lutfi Dervishi

Këto ditë nuk flitet për asgjë tjetër veçse për inspektim. Çdo rrugë, çdo gropë, çdo ndërtesë, çdo qebaptore me zgarë me kapak apo pa kapak, është duke u inspektuar.

Nga 14 inspektime vjet, sivjet (për të njëjtën periudhë) kemi 795 inspektime. Një rritje modeste prej vetëm 5,578%.

Këto ditë, jeleku portokalli është bërë uniforma jonë kombëtare. Çdo ditë/natë sheh njerëz me helmetë në kokë dhe dosje inspektimi në duar, që shoqërojnë Kryeministrin apo ministrat. Të gjithë, krejt qeveria dhe administrata, në fushatë. Kjo është shenjë e një progresi të pastër si në estetikë ashtu dhe në retorikë.

Roskoveci, qytezë me më pak banorë se një lagje e Bathores, po përjeton mrekullinë. 86 inspektime në 75 ditë, mesatarisht më shumë se një në ditë. Konfirmohet se qyteza deri dje e qetë, po pergatit aplikimin në UNESCO dhe do të jetë pjesë e fondit të “Trashëgimisë Botërore për Inspektimin.” Kandidatura mbështetet nga një dosje voluminoze, ku çdo inspektim ka selfit, video klipet dhe citate për “bashkëpunimin ndërinstitucional në terren” dhe “pasaportën” e BE-së më 2029.

Ndërkohë, Maliqi, që dikur ishte i famshëm për kënetën e tharë dhe sheqerin, sot konkurron për titullin “Kryeqyteti i Inspektimeve për frymë”. Me 107 inspektime të raportuara, banorët kanë filluar të ndihen të inspektuar edhe në ëndrra.

Duhet pranuar që ky progres që po përjetojmë në tre muajt e parë të këtij viti vjen pas një viti të errët, vitit 2024, bilanci i të cilit për të njëjtën periudhë ishte qesharak: vetëm 14 inspektime! Skandal për të cilën kanë qepur gojën të gjithë.

Zëra dashakeqë (si gazetarët e Faktoje që i referohet ky shënim) thonë se përmbytja që po ndodh me inspektime është pjesë e një strategjie politike për të ndikuar elektoratin në zonat me rezultat të ngushtë të zgjedhjeve të kaluara.

Çudia qëndron në faktin që opozita, që nuk numëron asnjë inspektim në CV-në e saj, kërkon edhe ajo të marrë vota.

Ndryshe nga radhët e tjera kur të hapen kutitë e votmit në orën 20:00 të datës 11 Maj, këtë radhë nuk do të numërohen votat, por vizitat në kantiere.

P.S.1. Nëse inspektimet janë shenjë e përparimit, atëherë Shqipëria s’ka nevojë më për reforma, mjafton një tabelë, një jelek fosforeshent dhe një fletë procesverbali. Vendi është në rrugën e duhur: i sapo inspektuar.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat