Nga Lutfi Dervishi
Po ndodh ajo që askush nuk e priste, por të gjithë e ëndërronin: populli i ndershëm, i mençur, trim, patriot dhe i palodhur, i facebook-it është ngritur në revolte për abuzimin e fondeve amerikane! Këto para që dokumentohen, auditohen dhe justifikohen deri në qindarkën e fundit, po shkaktojnë zemërim popullor në nivele biblike.
Revolucioni aq shumë i përfolur që i ngjante përpjekjes për të ndezur zjarr me qymyr të lagur, më në fund ka shpërthyer.
Çdo paradite rrugët dhe bulevardi mbushen me kryengritës që mbajnë në duar pankarta me parulla : “Jo keqmenaxhimit të parave të amerikanëve!”, “STOP abuzimeve me fondet e huaja!” “SPAK mos rri si guak!” “Trump ndalo fondet për incineratorin”
Të njëjtët njerëz pasdite shihen në sheshin Skënderbe duke kënduar e vallëzuar për ndërprerjen e fondeve amerikane.
Lumturia ka kapur qiellin. Më në fund, SHBA e kuptoi që bota duhet të (mbi)jetojë pa “bamiresine” e saj! Dhe “AID” nuk eshte ndihme, por nje agjensi sot nen auditim.
Ky është triumfi i madh i sovranitetit, momenti kur një komb i tërë feston që nuk ka më qofte ke daja”.
Më mirë një realitet i zhveshur nga iluzionet sesa të përfundojmë duke dëgjuar fjalë të tilla të frikshme si “reforma”, “demokraci”, “transparencë”, “media e lirë”, “institucione të pavarura.” “shtet i së drejtës”…
Po sikur te kishim 1/1000 e këtij shqetësimi për fondet e taksave tona, ato që paguajmë çdo ditë për rrugët me gropa, spitalet pa ilaçe dhe shkollat pa mësues e nxënës?
Po sikur të revoltoheshim për tenderat sekretë, për miliona euro që ikin pa lënë gjurmë, për miliona Euro që gjenden në një tub sobe, për inceneratorët që në vend që të djegin plehra ngrohin vetëm 3-4 xhepa dhe një duzinë xhepistesh?
Siç na mëson mençuria tironse, “mos vërdho (vrapo) pas kokrrës ullinit, po shih barrën e vojit (fuçinë e vajit).
Këto pyetje nuk meritojnë përgjigje sepse po festojmë që, më në fund, në këtë vend të bekuar nuk ka më fonde që shpërdorohen!
Sot është një ditë e madhe për abuzuesit e vërtetë! Gëzuar!