Në prezantimin vjetor të rezultateve të Grupit Rheinmetall në selinë e tij në Düsseldorf, drejtori Armin Papperger pranoi se “ai kurrë nuk e ka përjetuar diçka të tillë në 35 vitet e tij sa punon në Rheinmetall”. Vetëm gjatë Konferencës së Sigurisë së Mynihut, disa javë më parë, rreth pesëdhjetë krerë shtetesh ose qeverish ose ministrat e tyre përkatës kanë kërkuar takim me një nga prodhuesit më të mëdhenj të armëve në Gjermani. Selia e kompanisë në Düsseldorf aktualisht ka kërkesa dhe porosi me vlerë 55 miliardë euro. Kjo është 17 miliardë më shumë se rekordi i vitit të kaluar – është më shumë se kurrë më parë.
Gjithçka që kërkohen për ushtrinë po porositet: nga municionet, te mjetet e blinduara e deri tek tanket. Rheinmetall bashkëpunon edhe me KNDSDeutschland me bazë në Mynih(një kompani që deri vonë quhej Kraus-Maffei Wegmann). Kompanisë po i kërkohen edhe tanke Leopard, raketa, radarë dhe sisteme të mbrojtjes ajrore, dronë, teknologji digjitale ushtarake…
Evropa u detyrua të jetë më e pavarur
Kërkohet gjithçka: “Shtetet e Bashkuara, këtë e them pa asnjë akuzë, do ta detyrojnë Evropën të investojë më shumë për sigurinë e saj”. “Është një ndryshim i madh, por mendoj se është një shenjë e mirë për industrinë në Evropë, sepse ndoshta mund të bëhet më e pavarur. E meqë ra fjala, kjo është e rëndësishme dhe për politikën”, mendon Papperger.
Në Evropë ka nisur një epokë armatimi, përmbledh kreu i Rheinmetall. Kompania e tij po përfiton prej saj si pak kompani të tjera gjermane: të ardhurat dhe fitimet janë rritur me rreth 35 për qind.
Rritja duhet të jetë në atë shkallë edhe këtë vit. Papperger është i bindur se ky është “vetëm fillimi”. Sipas vlerësimit të prodhuesit gjerman të armëve, nëse anëtarët e NATO-s do të fillonin me të vërtetë të shpenzonin 2.5 deri në 3.5 për qind të PBB-së së tyre për mbrojtjen, ky do të ishte “një potencial për qarkullim midis 300 dhe 400 miliardë euro deri në vitin 2030”, tha ai.
Deri më tani, rreth një e treta e prodhimit të Rheinmetall i ka shkuar ushtrisë gjermane, por Bundeswehr-i dëshiron shumë më tepër armë dhe pajisje, ashtu siç po bëjnë edhe vendet e tjera. Rheinmetall tashmë po ndërton fabrika të reja në të gjithë Evropën. Atyre u përshtatet madje që industria e automobilave është në telashe. Kjo kompani është duke bërë plane për përdorimin e 22 kompanive që dikur prodhonin pjesë për industrinë e automobilave, por që tani po anulojnë bashkëpunimin. Konkretisht bëhet fjalë për një kompani pranë Berlinit me 350 punonjës, por edhe një në Neuss afër Dyseldorfit, ku janë të punësuar 1500 persona.
Punë e sigurt, të ardhura të sigurta
Sektori i industrisë ushtarake po kërkon urgjentisht staf të ri për një rritje kaq të madhe të biznesit. Rheinmetall punëson aktualisht 32,000 njerëz, por numri i bashkëpunëtorëve po rritet çdo ditë. Prandaj ata janë të lumtur që ndoshta mund të angazhojnë punëtorët e metaleve nga industria e automobilave.
Armët e Rheinmetall shumë të kërkuaraFotografi: Daniel Karmann/dpa/picture alliance
“Ne jemi kthyer në një bazë punësimi,” thotë Papperger. Në të njëjtën kohë, një numër i caktuar i punonjësve do të dalë në pension. Kjo do të thotë se kompania do të punësojë rreth 8,000 punëtorë në vit. Paperger beson se në dy vjet Rheinmetall do të ketë rreth 40,000 punonjës. Përveç kësaj, do të ketë rreth 120,000 punonjës në rreth një mijë kompani furnizuese në Gjermani.
Fabrikat më të mëdha të Rheinmetall janë në Unterlis në Saksoninë e Poshtme, midis Hannoverit dhe Hamburgut. Por ato gjithashtu kanë fabrika në Kassel, Kiel, Bremen dhe Mynih. Përveç vendeve të sigurta të punës për punonjësit, edhe aksionet në industrinë e armëve janë bërë gjithashtu të ardhura të sigurta për investitorët: që nga sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës, vlera e Rheinmetall si prodhues armësh është dhjetëfishuar.
“Zhvillimi i vlerës së aksioneve tona mund të quhet fenomenal,” thotë Paperger. “Ne kemi parë një rritje të vlerës prej mbi 2.000 për qind në dhjetë vitet e fundit, kështu që ne jemi ngjitur me të vërtetë në Olimpin e kompanive të mëdha. Pak kompani kanë regjistruar ndonjëherë një normë të tillë rritjeje”, thotë ai.
Drejtori i Rheinmetall, 62-vjeçari Armin Papperger është në mbrojtje të vazhdueshme nga policia, pasi kompania e tij është një nga furnizuesit më të rëndësishëm të armëve në Ukrainë. Thuhet se në Moskë ka pasur plane për vrasjen e tij./DW