Në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar u zhvillua këtë të premte seanca për rigjykimin e dosjes së Festim Bexhdilit, i akuzuar për vrasjen dhe zhdukjen e Jan Prengës, ngjarje e ndodhur në janar të vitit 2020 në resortin luksoz “Golden” në Shijak.
Rigjykimi në Apel u hap pas vendimit të Gjykatës së Lartë, e cila prishi dënimin me burgim të përjetshëm ndaj Bexhdilit dhe ktheu çështjen për shqyrtim të ri.
Gjatë seancës, prokurorët e SPAK u përplasën në lidhje me masën e dënimit që duhet t’i shqiptohet Bexhdilit. Prokurorja Elida Kaçkini kërkoi lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë për burgim të përjetshëm, duke argumentuar se provat tregojnë qartë përfshirjen e tij në ngjarje dhe rol aktiv në rrëmbimin e viktimës.
Nga ana tjetër, prokurori Behar Dibra kërkoi rikualifikim të veprës penale dhe dënim më të lehtë, me 20 vite burg, duke argumentuar se nuk ka prova të mjaftueshme që e lidhin Bexhdilin drejtpërdrejt me vrasjen dhe zhdukjen e Jan Prengës.
Në seancë dëgjoi edhe të pandehurin Festim Bexhdili, i cili mohoi akuzat dhe deklaroi se ishte vetëm dëshmitar, duke thënë se nga frika mori trupin dhe se shpreson që drejtësia të bëjë punën e saj.
Mbrojtja e tij, përfaqësuar nga avokati Ilir Murati, kërkoi pafajësi për klientin e tij, duke theksuar mungesën e provave që lidhin Bexhdilin me krimin, dhe theksoi se vendimi i Gjykatës së Lartë tregon se ka pasur dyshime serioze në këtë çështje.
Rigjykimi vijon në ditët në vijim, ndërsa çështja mbetet në qendër të vëmendjes për shkak të natyrës së rëndë të akuzave dhe debatit të fortë ligjor mes prokurorëve.



