Kryetari i Komisionit të Posaçëm në Kuvend, Fatmir Xhafaj, hapi këtë të martë tryezën për diskutimet mbi projektligjin për “Konfliktin e Interesave”, duke theksuar se ky është një hap i rëndësishëm për përforcimin e integritetit institucional dhe për përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga procesi i integrimit evropian.
Xhafaj shpjegoi se ky projektligj nuk është thjesht një detyrim ligjor formal, por një angazhim serioz për cilësi dhe bashkëpunim institucional.
“Ky projektligj ka ardhur si nevojë e domosdoshme për t’u përfshirë në korpusin ligjor dhe vjen si një rekomandim nga Bashkimi Evropian, duke vendosur një afat që duhet përmbushur nga shteti shqiptar,” – tha Xhafaj.
Ai shtoi se procesi i hartimit të ligjit nuk duhet të jetë formal apo i nxituar, por kërkon një konsultim të gjerë dhe bashkëpunim mes institucioneve dhe aktorëve të përfshirë.
Kreu i Komisionit kujtoi se ekziston një draft i mëparshëm i hartuar nga ILDKPI-ja, por sipas ekspertëve ndërkombëtarë ai kërkon përmirësime të mëtejshme.
“Në bazë të ekspertizës ndërkombëtare, kemi vendosur të bëjmë një konsultim më të gjerë për të përmirësuar draftin ekzistues dhe për të marrë sa më shumë opinione,” – u shpreh Xhafaj.
Ai falënderoi grupin e ekspertëve dhe këshilltarëve të Kuvendit për angazhimin serioz në këtë proces edhe gjatë periudhës së vështirë të verës, si dhe mbështetjen e institucioneve ndërkombëtare si OSBE dhe Këshilli i Evropës.
“Falënderoj OSBE-në dhe Këshillin e Evropës për bashkëpunimin e tyre të vazhdueshëm dhe për ekspertizën që kanë ofruar,” – përfundoi kryetari i Komisionit.
Ky projektligj pritet të jetë një nga instrumentet kryesore në luftën kundër korrupsionit dhe për forcimin e besimit të qytetarëve në institucionet shqiptare.