Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA vendosi të hënën më 11 nëntor të rikthejë në detyrë prokuroren e Tiranës, Alekta Zifla, duke rrëzuar vendimmarrjen e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK, për shkarkimin e saj. Vendimi u mor me shumicë votash nga trupi gjykues i KPA i kryesuar nga Natasha Mulaj, me relator Sokol Çomon dhe anëtarë Albana Shtyllën, Ina Ramën dhe Rezarta Schuetz, pas gjykimit në dhomë këshillimi të ankimit të Ziflas ndaj vendimarrjes së Komisionit.
KPK vendosi ta shkarkojë Zilfan më 16 qershor 2021, pasi konkludoi se kishte cenuar besimin e publikut me disa veprime fiktive në përfitimin e një kredie, por ky përfundim nuk është gjetur i drejtë nga shumica e Kolegjit që e përmbysi atë të hënën, shkruan BIRN.
Alketa Zifla e filloi karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1999 dhe ka punuar fillimisht si prokurore në Prokurorinë e Tepelenës. Në vitin 2008, ajo u emërua prokurore në Fier, ndërsa në vitin 2013 u transferua në prokurorinë e Tiranës.