Hapja dhe rinumërimi i 42 kutive të qarkut të Dibrës për votat preferenciale të PD-ASHM, vendosur nga dy anëtarë të PD në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS), ka nxjerrë në pah tjetërsim të votave mes kandidatëve demokratë.
Nga ky rinumërim rezultoi se kandidatit Xhemal Gjunkshi i janë marrë 17 vota, të cilat kanë kaluar te kandidatë të tjerë në listën e hapur të PD. Vetë Gjunkshi kishte kërkuar hapjen e kutive, duke pretenduar se votat e tij janë manipuluar.
Nga ana tjetër, kandidatit Përparim Spahiut, i cili është kandidati më i votuar i opozitës në qarkun e Dibrës, i janë shtuar 49 vota të tepërta, që u janë marrë kandidatëve të tjerë.
Me shifrat e reja, diferenca mes Spahiut dhe Gjunkshit ngushtohet nga 120 në vetëm 54 vota. Gjithsesi, asnjëri prej tyre nuk fitoi mandat në zgjedhjet e 11 majit, pasi PD mori vetëm 2 deputetë nga lista e mbyllur.
Pritet që Xhemal Gjunkshi të kërkojë rinumërimin edhe të 180 kutive të tjera në Dibrë, në përpjekje për të rivendosur drejtësinë në procesin zgjedhor.