Tabelat e kufirit të shpejtësisë në disa akse rrugore kanë nevojë të rishikohen pasi po kufizojnë shpejtësinë në mënyrë të padrejtë për drejtuesit e mjeteve.
Këtë konstatojnë ekspertët e sigurisë rrugore, të cilët thonë se ka segmente ku shpejtësia në bazë të parametrave të rrugës mund të jetë më e lartë nga se tabelat tregojnë, veçanërisht nëpër autostrada.
Mamir Hodo, ekspert i sigurisë rrugore: Vërehen mangësi të cilat duhen riparë. Kemi segmente që mjeti mund të lëvizë me 90 km në orë, në rrugët interurbane kryesore, Fier-Lushnje, Lushnje-Durrës, Lezhë-Shkodër, kemi në rrugën e Korçës.
Por teksa ekspertet thonë se me 90 kilometër në orë mund të udhëtosh në rrugë me dy korsi, në Shqipëri ka ende tabela që kufizojnë në këtë shpejtësi lëvizjen nëpër autostrada.
Kjo është autostrada Tiranë-Durrës dhe shpejtësia maksimale e lejuar është 90 kilometër në orë.
Po 90 kilometër në orë është edhe shpejtësia e lejuar në Milot – Thumanë, ndërsa në zgjatimin e ri të kësaj autostrade kufiri rritet me 130 kilometër në orë.
Me ndryshimet e kodit rrugor shpejtësia maksimale në autostradë është rritur nga 110 në 130 km për orë. Por siç shihet nga këto pamje, tabelat janë ende ato të vjetrat që kufizojnë në 90 kilometër në orë lëvizjen.
Fatmir Hasho, ekspert i sigurisë rrugore: Egzistojnë disa segmente që nga pikëpamja rrugore e plotësojnë standardin. Rruga Levan-Vlorë e cila është një rrugë me përmasa shumë të mira, por në shumë vende mungon rrethimi anësor.
Mamir Hodo, ekspert i sigurisë rrugore: Në segmentet që plotësojnë parametrat duhet t’i vendosim pa hezitim ato.
Një tjetër problematike që vërehet në rrugë janë edhe vendosja keq e tabelave të kufizimit të shpejtësisë, që sipas ekspertëve bëhen shkak për gjobitjen e shoferëve.
Fatmir Hasho, ekspert i sigurisë rrugore: Kjo nuk është normale. Pra këto duhen hequr urgjentisht. Rasti konkret ka qenë një tabelë 60 që ka qenë në rrugën Tiranë-Elbasan. Unë u gëzova që e hoqën sepse nuk kishte kuptim dhe kjo bëhej precedent që Policia të vejë gjoba pa logjikë.
Mamir Hodo, ekspert i sigurisë rrugore: Në shumë raste edhe janë provokative, po themi e ke 90 km në ore dhe për pak sekonda bëhet 40 apo 50 km në ore, gjë e cila nuk ëhstë e drejtë. Pastaj shërbimet e Policisë Rrugore të gjobisin.
Sipas ekspertëve, rritja e shpejtësisë së lëvizjes në autostrada, bazuar në ndryshimet e Kodit Rrugor, është domosdoshmëri. Për këtë arsye, ata thonë se e gjithë sinalistika ka nevojë të rishikohet./ Klan Tv