Ka përfunduar rivlerësimi i fletëve të votimit në qendrën e votimit numër 2253 në Elbasan, ku sipas vëzhguesve të Partisë Demokratike mungojnë dy fletë votimi.
Procesi i rivlerësimit nisi në orën 10:00 me kutitë e votimit të Peqinit dhe Gramshit. Për këto dy zona nuk do të kryhet rinumerim, por vetëm rivlerësim i fletëve të votimit, me qëllim verifikimin e përputhshmërisë së tyre me proces-verbalet dhe materialet zgjedhore.
Në qarqet përkatëse, Partia Demokratike ka ngritur pretendime për fenomene të manipulimit të votave, të cilat i ka cilësuar si “Tren bullgar”.
Deputeti i zgjedhur i PD, Blendi Himçi, tha se gjatë rivlerësimit janë konstatuar probleme të shumta, si mospërputhje të numrit të fletëve të votimit të papërdorura, si dhe problematika lidhur me procesverbalet dhe kodet e sigurisë në vula.
Ai theksoi se në kutinë e votimit në Gramsh janë konstatuar tri vula në vend të katër, dhe në qendrën numër 2253 mungojnë dy fletë votimi pa shpjegim të qartë.
“Në këtë qendër mungojnë dy fletë votimi, nuk dimë se ku kanë ikur vulat, ndërsa është konstatuar edhe një rast ku ka votuar një person që nuk figuron në listën e votuesve,” tha Himçi.
Ai shtoi se të gjitha këto elemente i japin të drejtë Partisë Demokratike të besojë se në këtë zonë ka pasur manipulime zgjedhore me metodën e “Trenit bullgar”.
Ky proces rivlerësimi dhe verifikimi është pjesë e shqyrtimit të ankimimeve dhe pretendimeve për parregullsi në zgjedhjet e fundit, duke theksuar rëndësinë e transparencës dhe saktësisë në procesin zgjedhor.