Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde ka reaguar rreth situatës së krijuar në Serbi, ku autoritetet serbe përmes fushatave shpifëse po sulmojnë aktivistët që po protestojnë tash e sa kohë.
Duke shpërndarë reagimin që bëri Ministria e Jashtme e Gjermanisë për këtë rast, Rohde ka thënë se Serbia ka ndërhyrë në zgjedhjet në Kosovë përmes Listës Serbe.
“Këto sulme dhe fushata shtrihen përtej kufirit serb. Siç ka theksuar shefja e Misionit të Vëzhgimit në Kosovë, Nathalie Loiseau, Serbia ndërhyri në zgjedhjet në Kosovë duke kërkuar vota për Listën Serbe. Në të njëjtën kohë, Serbia në mënyrë të pabazë akuzon Kosovën për mbështetjen e protestave në Serbi, pa asnjë provë”, ka shkruar ambasadori gjerman në Kosovë në rrjetin social “Bluesky”.
Kujtojmë se Misioni i BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve në raportin e publikuar për procesin zgjedhor bëri të ditur se shteti serb u ka bërë presion votuesve serb, për të votuar Listën Serbe. E për më tepër, presioni iu është bërë votuesve që varen nga ndihmat sociale.
“Fushata e LS ishte më e spikatura nga partitë serbe të Kosovës, kryesisht përmes mediave të Serbisë dhe mediave të vogla serbe të Kosovës, në të cilat partitë e tjera politike nuk kishin, ose kishin qasje shumë të kufizuar. Bashkëbiseduesit shpesh raportuan se anëtarët e LS së u bënin presion votuesve të cilët varen shumë nga ndihma sociale e Serbisë ose punësimi në institucionet e menaxhuara nga Serbia në komunat serbe të Kosovës”, thuhet në raportin e publikuar nga Misioni i BE-së. /Telegrafi/