Roma ka vendosur t’i japë fund aventurës së Artem Dovbykut në “Olimpico” vetëm një vit pas transferimit të tij. Sulmuesi ukrainas nuk ka arritur të përmbushë pritshmëritë e klubit dhe nuk bën më pjesë në planet e trajnerit Gian Piero Gasperini.
Pavarësisht investimit prej 32 milionë eurosh për ta blerë nga Girona, Dovbyk nuk ka bindur as në stërvitje dhe as në ndeshjet zyrtare. Kjo ka bërë që drejtuesit të hapin bisedimet për shitjen e tij, duke pritur oferta konkrete nga klubet e interesuara.
Pas fitores 1-0 në miqësoren ndaj Evertonit, përfaqësues të Leeds United dhe West Ham United janë takuar me drejtuesit e Romës për të diskutuar kushtet e transferimit të sulmuesit 27-vjeçar.
Roma i ka bërë të qartë palëve se për të lejuar largimin e ukrainasit kërkohen të paktën 35 milionë euro. Dy klubet angleze duket se janë të gatshme të plotësojnë këtë kërkesë, dhe marrëveshja mund të mbyllet brenda javës.
Sipas La Gazzetta dello Sport, klubi kryeqytetas ka gjetur tashmë zëvendësuesin e Dovbykut në Serie A. Bëhet fjalë për sulmuesin malazez Nikola Krstovic, i cili ka shkëlqyer sezonin e kaluar me fanellën e Lecces.
Giallorosët do të paguajnë rreth 20 milionë euro për kartonin e 25-vjeçarit, i cili shënoi 12 gola dhe dha 5 asistime sezonin e kaluar. Krstovic ka pranuar transferimin dhe pritet të firmosë kontratën në ditët në vijim.
Me këtë lëvizje, Roma synon të forcojë repartin ofensivë dhe t’i japë Gasperinit një profil të ri sulmuesi që përshtatet më mirë me idetë e tij taktike për sezonin e ardhshëm.