Shqipëria renditet e fundit në Europë për përballueshmërinë e strehimit, sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga agjencia ndërkombëtare Numbeo. Sipas raportit, një familjeje shqiptare i nevojiten mesatarisht 16.3 vite pune për të blerë një banesë, më shumë se në çdo vend tjetër të kontinentit.
Për krahasim, në Danimarkë mjaftojnë 6 vjet, ndërsa në Serbi rreth 15 vite e 8 muaj për të zotëruar një apartament.
Kjo është hera e parë që Shqipëria zë vendin e fundit në listën e 36 shteteve të monitoruara për raportin çmim banese/pagë mesatare.
Në vitin 2024, kjo kohë llogaritej në 13.8 vite, ndërsa zgjerimi i këtij afati tregon se çmimet e banesave janë rritur më shpejt se të ardhurat.
Çfarë tregojnë shifrat?
Paga mesatare në Shqipëri: 780 euro/muaj
Çmimi minimal për m² në Tiranë: 1000 euro
Rritja e çmimeve në 6-mujorin e fundit (sipas BSH): +23.6%
Rritje vjetore e çmimeve të banesave: +44.5%
Sipas Indeksit Fischer të Bankës së Shqipërisë, rritja e shpejtë e çmimeve në gjysmën e dytë të 2024-s ka rënduar më tej mundësitë e qytetarëve për të blerë një banesë. Me një pagë mesatare, blerja e një apartamenti mesatar në kryeqytet është bërë thuajse e paarritshme pa kredi afatgjata apo mbështetje familjare.