Komisioni i Ekonomisë dhe Financave ka miratuar nen për nen projekt buxhetin e vitit 2025, i cili më pas do të kalojë për votim në seancën plenare.
Projektligji është miratuar me disa kërkesa për ndryshime të depozituara nga komisionet parlamentare dhe të përmbledhura me një raport final.
Pjesa më e madhe e ndryshimeve lidhen me rritje të shpenzimeve operative dhe kapitale për disa institucione si dhe më shumë fonde për udhëtime dhe dieta për deputetët, shkruan SCAN.
Antoneta Dhima, Deputete e PS
“Fondi rezervë nga 2.7 mld lekë të shkojë në 3 mld lekë. Shtesë fondesh për dietat e deputeteve dhe udhëtimet. Dhe shpenzimet kapitale të rriten me 50 milionë lekë, kryeisht për sigurinë kibernetike dhe blerje pajisjesh”
Ndërkaq deputetët e opozitës kanë shfaqur pakënaqësi me ndryshimet e bëra dhe nuk kanë dhënë miratimin tyre për draftin.
Jorida Tabaku, Deputete e PD
“Me gjithë këto ndryshime buxheti nuk është më i njëjtë”
Arbi Agalliu, Deputet i PD
“Nuk e votoj buxhetin sepse nuk u garanton qytetarëve ato që duhet”.
Buxheti për vitin e ardhshëm do të votohet në seancë plenare më datën 3 dhjetor.
Për vitin 2025, qeveria shqiptare ka parashikuar një buxhet prej 8.2 miliardë eurosh, i cili synon të përmbushë prioritetet kombëtare në fusha të ndryshme.