Qeveria ka miratuar indeksimin e pagave për gjyqtarët dhe prokurorët në masën 2.5%, duke çuar pagën referuese bazë për funksionet gjyqësore dhe të prokurorisë në 156 825 lekë në muaj.
Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, paga referuese bazë, e cila përllogaritet përmes shumëzimit të koeficientit 0.36 me pagën e Presidentit të Republikës, do të rritet në përputhje me indeksimin vjetor. Pas aplikimit të këtij ndryshimi, paga mujore për gjyqtarët dhe prokurorët arrin në 156 825 lekë.
Në vendim theksohet se efektet financiare të këtij indeksimi do të përballohen brenda buxhetit të miratuar për vitin 2026 për institucionet përkatëse të sistemit të drejtësisë, pa kosto shtesë për buxhetin e shtetit.
Paralelisht, qeveria ka vendosur edhe indeksimin e pagës së Presidentit të Republikës, po në masën 2.5%. Pas këtij ndryshimi, paga mujore e Kreut të Shtetit do të jetë 435 625 lekë.
Edhe në këtë rast, efektet financiare do të përballohen nga buxheti i miratuar për vitin 2026 për institucionin e Presidentit të Republikës.
Vendimi hyn në fuqi sipas afateve ligjore dhe pritet të reflektohet në pagat mujore të përfitueseve gjatë vitit 2026.



