back to top
22.5 C
Tirana
E diel, 20 Prill, 2025
spot_img
KreuAktualitetRritet çmimi i biletës Tiranës-Durrës dhe anasjelltas/ Nga Marsi me tren më...

Rritet çmimi i biletës Tiranës-Durrës dhe anasjelltas/ Nga Marsi me tren më lirë dhe më shpejt

Linja e autobusëve Tiranë-Durrës dhe anasjelltas ka rritur çmimin e biletës për pasagjerët.

Nga sot, bileta tani kushton 200 lekë nga 180 që ishte.

Rritja e menjëhershme rëndon xhepat e qytetarëve, të cilët duhet të paguajnë 20 lekë më shumë.

Bëhet fjalë për linjën ndërqytetase më me fluks në vendin tonë, që frekuentohet nga studentët apo nga qytetarë që punojnë në Tiranë, të cilët për shkak të minimizimit të shpenzimeve kanë zgjedhur të udhëtojnë me autobus.

Gjithashtu linja Tiranë-Durrës dhe anasjelltas ka fluks të lartë udhëtarësh përgjatë sezonin turistik të verës.

Ndërkohë që çmimi i biletës rritet, biletat janë inekzistente.

Pra qytetarët paguajnë, bileta nuk marrin dhe në rast kundërshtimi përballen me sherre me fatorino dhe shoferë.

Fakti i abuzimit me çmimin që rritet sipas dëshirës së pronarëve të autobuzëve, nuk shqetëson askënd nga institucionet kompetente dhe për pasojë nuk ka edhe përgjegjësi.

Shtrenjtimi i karburantit është justifikimi i pronarëve të autobuzëve për rritjen e çmimit të biletës, ndërkohë që ky shtrenjtim ka ndodhur që në vitin 2022, kur Qeveria  vendosi të rimbursojë transportin publik për karburantin.

Kujtojmë se po në të njëjtin vit, në kuadër të masave të marra në Paketën e Rezistencës Sociale, qeveria vendosi 500 milionë lekë për kompensimin e rritjes së çmimit të biletës në transportin urban qytetas dhe ndërqytetas.

Nga marsi me tren, për 22 minuta me 1-1.2 euro

Qytetarët shprehen për “E Vërteta.al”, se janë të detyruar ta paguajnë biletën inekzistente, për shkak se udhëtimi me makinë private kushton më shprenjtë.

Hapja e hekurudhës shihet si shpresë për qytetarët, për ata që e kanë të përditshëm udhëtimin Tiranë-Durrës dhe anasjelltas.

Hekurudha Tiranë-Durrës një projekt i rëndësishëm kombëtar, punimet e së cilës kanë avancuar në 70% të totalit pritet të përmbyllet në muajin mars.

Çmimi i biletës së udhëtimit në linjën e re hekurudhore Tiranë-Durrës do të jetë 1-1.2 euro, siç është raportuar më herët. 

Sipas projektit të kësaj linje hekurudhore, koha e udhëtimit Tiranë-Durrës do të jetë 22 minuta dhe Tiranë-Rinas vetëm 12 minuta.

Linja do të ketë 11 stacione, të cilat do nisin nga Durrësi, për të vijuar në Shkozet-Sukth-Vorë-Kashar, linja këto ekzistuese me nevoja për rikonstruksion.

Më pas aksi hekurudhor do të vijojë në Laknas, Aeroporti i Tiranës dhe Terminali i Transportit Publik Tiranë.

Stacioni i 9-të dhe i 10-të janë parashikuar dhe projektuar të ndërtohen në kontratën e segmentit shtesë nga Terminali i Transportit Publik Tiranë deri te Bulevardi i Ri.

 Ndërkohë stacioni i 11-të është menduar të shtrihet në kryqëzimin e rrugës “Jordan Misja”-Bulevardi i Ri.

Treni i hekurudhës Tiranë-Durrës do të jetë elektrik, ndërkohë që shpejtësia e lëvizjes parashikohet në 100 km /orë. Hekurudha është e gjatë 39 km dhe financimi i saj mbështetet nga BERZH përmes një kredie me vlerë 70 milionë euro.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat