Vetëprodhuesit e energjisë elektrike kanë injektuar një sasi modeste energjie në rrjet gjatë katër muajve të parë të vitit, duke treguar se pjesa më e madhe e energjisë së prodhuar është përdorur për konsum vetjak.
Sipas të dhënave zyrtare, gjatë periudhës janar-prill 2025, vetëprodhuesit e lidhur në tensionin 35 kV dhe 20 kV hodhën në rrjet rreth 943 megavat orë (MWh) energji elektrike. Kjo sasi, edhe pse ende e vogël në terma të përgjithshëm, paraqet një rritje të ndjeshme në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kur u injektuan vetëm 88 MWh.
Për ekspertët, këto të dhëna përfaqësojnë një sinjal pozitiv për funksionimin e skemës së vetëprodhimit, e cila po merr gjithnjë e më shumë rëndësi në kontekstin e tranzicionit drejt energjisë së pastër dhe reduktimit të varësisë nga burimet tradicionale.
Vetëprodhimi i energjisë elektrike përmes impianteve fotovoltaike jo vetëm që ul kostot për konsumatorët, por ndihmon edhe në krijimin e një sistemi më të decentralizuar, të qëndrueshëm dhe me ndikim më të ulët mjedisor.
Sipas kuadrit ligjor në fuqi, abonentët që zotërojnë impiante fotovoltaike për vetëkonsum kanë të drejtë të injektojnë energjinë e tepërt në rrjetin e shpërndarjes dhe ta rikuperojnë atë brenda një viti, në bazë të skemës së bilancit neto.
Të dhënat më të fundit tregojnë se në fund të tremujorit të parë të vitit, numri total i vetëprodhuesve të regjistruar ishte 2415, ndërkohë që kapaciteti i instaluar arrin në rreth 217 megavat peak (MWp).
Ekspertët e sektorit energjetik parashikojnë që numri i vetëprodhuesve dhe sasia e energjisë së injektuar në rrjet do të rritet ndjeshëm në muajt në vijim, sidomos me afrimin e sezonit veror, ku prodhimi nga panelet diellore është më i lartë./ Ola Mitre