Kriza e krijuar nga rritja e çmimit të naftës, si pasojë e tensioneve në Lindjen e Mesme, ka goditur rëndë sektorin e transportit rrugor në Shqipëri, duke rritur kostot për operatorët e mallrave dhe duke sjellë paralajmërime për protesta.
Shoqatat e transportit ndërkombëtar kanë ngritur alarmin për përkeqësimin e situatës, duke deklaruar se rritja e kostove po rrezikon seriozisht funksionimin e sektorit, ndërsa nuk përjashtojnë as bllokimin e Portit të Durrësit dhe pikave kufitare.
Nafta në Shqipëri aktualisht shitet rreth 2.09 euro për litër, një nivel më i lartë se në vendet e rajonit, çka sipas transportuesve shqiptarë i vendos ata në disavantazh konkurrues.
Operatorët theksojnë se, ndonëse çmimet në shtetet fqinje janë më të ulëta, ata nuk mund të furnizohen jashtë vendit për shkak të kufizimeve fiskale dhe mungesës së rimbursimit të TVSH-së, si dhe rregullave për sasinë e karburantit në serbator.
“Rritja e çmimit të naftës na ka shtrenjtuar në mënyrë të drejtpërdrejtë kostot tona. Përshkruajmë rrugë të gjata dhe furnizohemi në Shqipëri, ku çmimi është shumë më i lartë se rajoni,” u shpreh një operator i transportit ndërkombëtar.
Sipas tyre, situata aktuale rrezikon jo vetëm fitimet e sektorit, por edhe ekzistencën e disa kompanive, duke paralajmëruar rrezik falimentimi në rast se nuk merren masa.
Transportuesit kërkojnë subvencionim të kostove të karburantit ose rishikim të marrëveshjeve bilaterale, duke theksuar se konkurrenca me kamionët e vendeve fqinje është bërë e pabarabartë.
Aktualisht, çmimet e naftës në rajon paraqiten ndjeshëm më të ulëta: Maqedonia e Veriut rreth 1.5 euro, Mali i Zi dhe Serbia 1.7 euro, ndërsa Kosova rreth 1.8 euro për litër.
Përfaqësues të sektorit paralajmërojnë se përkeqësimi i mëtejshëm i situatës mund të sjellë pasoja zinxhir në ekonominë shqiptare dhe furnizimin e tregut.



