Kryeministri Edi Rama deklaroi më 11 korrik se taksimi i shtëpive të dyta është një hap i natyrshëm dhe në përputhje me praktikat europiane:
“Është e natyrshme që kush ka një shtëpi të dytë të kontribuojë më shumë në sistem, sepse kjo është një praktikë normale në gjithë Europën,” tha ai.
Por ndërsa qeveria përgatitet të zbatojë këtë nismë të re fiskale, pyetja që lind është: Çfarë ndikimi do të ketë kjo masë në tregun imobiliar shqiptar?
Sipas Orgest Betit, konsulent i tregut të pasurive të paluajtshme, barrën e kësaj takse nuk pritet ta mbajnë drejtpërdrejt pronarët me më shumë se një apartament:
“Nëse një apartament kushton 100 mijë euro dhe taksa është 1% në vit, do të paguhen rreth 1 mijë euro tatim. E përpjestuar, kjo do të përkthehet në mbi 80 euro në muaj – një shumë që pritet të kalojë natyrshëm te qiramarrësit,” u shpreh ai.
Megjithatë, sipas ekspertëve të sektorit, kjo lëvizje nuk pritet të shkaktojë lëkundje të ndjeshme në çmimet e tregut të shitblerjes apo të qirave, sidomos në zonat bregdetare dhe urbane me kërkesë të lartë. Kjo sepse kërkesa për prona në Shqipëri vazhdon të mbetet e fortë, si nga blerësit vendas, ashtu edhe nga të huajt.
Ekspertët paralajmërojnë se efekti real i kësaj mase do të varet nga mënyra konkrete e zbatimit dhe nga niveli përfundimtar i tarifës që do të përcaktojë qeveria në udhëzimin teknik përkatës.
Për momentin, tregu imobiliar ndodhet në pritje të qartësimit të detajeve, ndërkohë që pronarët dhe qiramarrësit po përpiqen të kuptojnë se kush do të mbajë barrën përfundimtare të kësaj takse.