Dosja hetimore e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), e cila çoi në goditjen e grupit kriminal ku përfshiheshin vëllezërit Avdylaj dhe Aleksandër Laho, i njohur si “Rrumi i Shijakut”, hedh dritë mbi mënyrën e funksionimit të këtij rrjeti dhe rivalitetet e tij me grupin e Plaurent Dervishajt.
Në dokumentin prej 236 faqesh, që përmban përgjime të kryera përmes aplikacionit të enkriptuar Sky ECC rreth katër vite më parë, janë regjistruar biseda mes Aleksandër Lahos dhe Vullnet Muçës. Në një prej tyre, Muça pretendon se ka folur me persona të cilëve u referohet si “Monika” dhe “Fredi” në aplikacion. Sipas dosjes, me “Monika” ai i referohej ish-deputetes Monika Kryemadhi.
Megjithatë, hetimet e SPAK nuk kanë gjetur asnjë provë që implikon znj. Kryemadhi në ndonjë aktivitet kriminal. Emri i saj del vetëm në një bisedë të izoluar, pa mbështetje në fakte të tjera.
Një tjetër bisedë e datës 8 mars 2021, ora 19:53, tregon se Laho dhe Muça kanë diskutuar për dhënien e një “kafeje” një personi, që dyshohet se mund të jetë ekspert kriminalist, pa përmendur qartë emrin e tij.
Fragment nga komunikimet e publikuara në dosje:
“Fola me Monikën idite me Fredin në Skai… Kamer… Po çelës i thashë m’ka kërku me nejt korrekt…”
“Po Fredi është teknik shumë i lart për këto lloj bisedash në terren me policinë… po vetem që gënjen dhe ka naj ves…”
“Esht myll si bised, nesër çka ien takimin t’i çoj kafen.”
SPAK e konsideron dosjen si pjesë të një hetimi voluminoz për lidhjet dhe aktivitetin e grupeve kriminale që kanë operuar në Shqipëri, ku rivaliteti mes tyre ka sjellë tensione dhe përplasje të dhunshme.