back to top
17.5 C
Tirana
E diel, 26 Tetor, 2025
spot_img
KreuDrejtësia“Rruga e ëndrrës amerikane” për 45 mijë dollarë/ SPAK mbyll hetimet për...

“Rruga e ëndrrës amerikane” për 45 mijë dollarë/ SPAK mbyll hetimet për trafik emigrantësh

SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka çuar për gjykim një grup të strukturuar kriminal prej pesë personash, të akuzuar për trafik të paligjshëm emigrantësh drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kundrejt pagesave që arrinin deri në 45 mijë dollarë për person.

Sipas njoftimit të Prokurorisë së Posaçme, grupi drejtohej nga Luc Melaj, i cili akuzohet për një sërë veprash të rënda penale, mes tyre “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”, “Falsifikim të dokumenteve të identifikimit”, “Grup i strukturuar kriminal”, “Ushtrim ndikimi të paligjshëm” dhe “Mbajtje pa leje e municioneve luftarake”.

Të akuzuarit

Përveç Melajt, përpara gjykatës do të dalin edhe Gëzim Camaj, i akuzuar për “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe “Ushtrim ndikimi të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”;

Emanuel Melaj, për “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”;

Tonin Melaj dhe Bashkim Çokaj, të dy punonjës policie, për “Shpërdorim detyre”.

Si funksiononte skema

Nga hetimet ka rezultuar se grupi kriminal ka organizuar kalimin e paligjshëm të të paktën 25 shtetasve shqiptarë drejt SHBA-së në periudhën 2022–2024.
Sipas SPAK, udhëtimet organizoheshin në mënyrë të mirëstrukturuar, me ndarje të qarta rolesh dhe me mbështetje logjistike në disa shtete.

Emigrantët, kryesisht nga Malësia e Madhe, Shkodra, Lezha dhe Tropoja, paguanin shuma që varionin nga 40 mijë deri në 45 mijë dollarë, për një rrugë që përfshinte disa etapa.

Takime paraprake në Shqipëri për të përcaktuar itinerarin dhe pagesat;

Sigurimin e dokumenteve të falsifikuara, kryesisht franceze;

Udhëtim ajror drejt Spanjës dhe më pas Meksikës;

Pritje dhe transport tokësor deri në kufirin me SHBA-në.

Ndihma nga efektivët e policisë

SPAK ka dokumentuar se në këtë veprimtari ishin të përfshirë edhe punonjës policie që ndihmonin në mosregjistrimin e hyrje-daljeve në sistemet kufitare për persona me probleme qëndrimi në vendet e BE-së apo për azilkërkues në Kanada, Britani apo SHBA.

Në disa raste, Luc Melaj dhe Gëzim Camaj kanë transportuar personalisht shtetas shqiptarë përtej kufirit me Malin e Zi, duke shmangur çdo kontroll apo regjistrim zyrtar.

“Nga të dhënat e hetimeve ka rezultuar e provuar ekzistenca e një grupi kriminal të përbërë kryesisht nga shtetas shqiptarë, me drejtues Luc Melajn. Grupi ka organizuar kalimin e paligjshëm të të paktën 25 personave drejt SHBA-së, kundrejt pagesave të majme, duke përdorur dokumente të falsifikuara dhe lidhje korruptive me zyrtarë policie,” – thuhet në njoftimin e SPAK.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat