Drejtori i Hekurudhes Shqiptare, Ergys Verdho, ka reaguar lidhur me situatën e krijuar në aksin Përrenjas–Librazhd, ku rrëshqitjet e dherave kanë shkaktuar probleme serioze në qarkullim dhe rrezik për infrastrukturën rrugore e hekurudhore, duke izoluar përkohësisht zonën juglindore.
Verdho deklaroi se problematika në kilometrin 103, në zonën e Dragostinjës, lidhet me një masiv të paqëndrueshëm që është aktivizuar që rreth 30 vite më parë. Sipas tij, reshjet e shumta të muajve të fundit dhe rritja e nivelit të lumit Shkumbin kanë përkeqësuar ndjeshëm situatën, duke shtuar presionin mbi shpatin dhe duke nxitur rrëshqitjet.
Ai theksoi se strukturat përgjegjëse ndodhen në terren, ndërsa konsulentët teknikë po analizojnë gjendjen për të përcaktuar ndërhyrjet e nevojshme. Ndër masat që pritet të merren janë sistemimi dhe devijimi i ujërave në shpat, me qëllim stabilizimin e zonës dhe parandalimin e rrëshqitjeve të tjera.
Verdho shtoi se ndërhyrjet do të vijojnë në varësi të kushteve atmosferike, duke shprehur shpresën që reshjet të mos pengojnë operacionet në terren.
Në ditët e fundit, rrëshqitjet në këtë aks kanë krijuar vështirësi të mëdha në lëvizje dhe shqetësim për sigurinë e infrastrukturës, ndërsa autoritetet po punojnë për rikthimin e normalitetit sa më shpejt.



