Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha në Komisionin e Dezinforimit u ndal te rreziqet që paraqesin kërcënimet hibride dhe veçanërisht ndikimi i Rusisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Hoxha vuri në dukje se Moska është ndër aktorët kryesorë të fushatave hibride në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ai shtoi se një pjesë e konsiderueshme e propagandës ruse përhapet në gjuhën serbe. Hoxha thotë se propaganda ruse nuk vjen direkt nga Moska, por shpërndahet përmes ‘satelitëve’ të saj në Ballkanin Perëndimor.
Sa i takon Shqipërisë, ministri i Brendshëm shprehet se vendi ynë është më pak i prekur nga kjo fushatë hibride e Rusisë. Por gjithsesi, Hoxha pranon se infrastrukturës dezinformuese ruse në rajon i janë shtuar portale edhe në gjuhen shqipe, por që sipas tij me ndikim shumë të kufizuar për shkak të audiencës së ulët.
“Autorët kryesorë të fushatave hibride dhe format kryesore të tyre në sulmet kibernetike, si edhe të çdo aktiviteti tjetër të zonës gri janë aktorë shtetërorë dhe organizata të sponsorizuar prej tyre dhe më pak organizata biznesi joqeveritare. Në nivel global është gjerësisht e pranuar se aktor kryesor të luftë hibride janë katër shtete kryesore, Rusia, Kina, Irani dhe Koreja e Veriut. Në vendet e Ballkani Perëndimor, ndër vendet më aktive në luftën hibride është Rusia. Rajoni i Ballkanit Perëndimor ndodhet i ndarë dhe në të veprojnë forca konkurrues e politike. Rusia ka shtuar prezencën dhe ndikimin në rajon duke kundërshtuar dhe vonuar procesin e integrimit europian të këtyre vende përmes influencës politike por edhe ekonomike. Pranohet se propaganda politike e Moskës nuk vjen direkt nga Moska, por vjen e ripaketuar në të njëjtën mënyrë si të vinte nga andej dhe shpërndahet përmes satelitëve të saj në rajon. 90% e kësaj propagande ruse bëhen në gjuhën serbe. Shqipëria është më pak e prekur dhe më pak e ndikuar nga kjo fushatë hibride e Rusisë dhe satelitëve të saj në rajon. Kohët e fundit vlerësohet se infrastrukturës dezinformuese ruse në rajon i janë shtuar portale edhe në gjuhen shqipe, vazhdojnë të kenë shikueshmëri dhe lejueshmëri të kufizuar dhe numër të vogël klikimesh”, vijoi Hoxha.