Kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, ka vlerësuar nismën për ngritjen e Qendrës së re të Drejtësisë, por ka ngritur pikëpyetje lidhur me vendosjen e Gjykatës së Lartë brenda këtij poli urban.
Gjatë prezantimit të programit për konkursin ndërkombëtar të Qendrës së Drejtësisë, Sadushi tha se projekti tregon përkushtim institucional, por nuk ka konstatuar nëse është parashikuar një godinë e veçantë për Gjykatën e Lartë, siç ishte ideuar më parë në zonën e Bulevardit të Ri.
“Nëse në projektin e paraqitur kjo është marrë në konsideratë, atëherë komenti im nuk vlen. Por duket sikur në këtë pol drejtësie përfshihet edhe Gjykata e Lartë dhe Gjykata Kushtetuese. Ajo duhet të jetë një godinë e veçuar”, deklaroi Sadushi.
Ai theksoi se në vendet e Bashkimit Evropian, Gjykata e Lartë nuk përfshihet brenda strukturës së gjykatave të juridiksionit të zakonshëm, për shkak të funksionit dhe simbolikës që përfaqëson për shtetin. Sipas tij, Gjykata e Lartë dhe Gjykata Kushtetuese duhet të kenë godina të ndara, në përputhje me seriozitetin institucional që mbartin.
Nga ana e tij, Kryeministri Edi Rama konfirmoi se ekziston një projekt alternativ, që parashikon vendosjen e Gjykatës së Lartë në një godinë administrative brenda një zhvillimi privat, ku shteti do të përfitonte hapësira ndërtimi në këmbim të truallit.
“Është e vërtetë që kemi kaluar lejen e ndërtimit për një godinë administrative që presupozohet të jetë Gjykata e Lartë. Plani që patëm është një alternativë që ajo të jetë në kampusin aty, por kjo është diçka që duhet diskutuar dhe finalizuar përfundimisht”, tha Rama.
Sipas kryeministrit, kjo zgjidhje do të ulte barrën financiare për buxhetin e shtetit, duke siguruar hapësira të dedikuara për Gjykatën e Lartë pa shpenzime të mëdha direkte për ndërtimin e saj.



