Deputeti demokrat Ervin Salianji ka reaguar ashpër ndaj akuzave të bëra nga Sali Berisha, se takimet e tij me demokratët në Elbasan janë organizuar nga Suel Çela. Në një postim në rrjetet sociale, Salianji i cilëson këto pretendime si “dëshmi të mjerimit politik” dhe një përpjekje për ta penguar në përballjen politike.
Salianji thekson se struktura e pranishme në takimin e Elbasanit ishte ajo zyrtare dhe vitale e Partisë Demokratike, ndërsa akuzat për kontakte me persona që ai vetë i ka denoncuar prej vitesh i quan të fabrikuara dhe absurde. Sipas tij, këto sulme vijnë nga frika e humbjes së pushtetit dhe e pazareve brenda partisë.
“Unë nuk kam emëruar dhe as komanduar struktura për të zgjedhur deputet të Partisë Demokratike dikë që, në funksionin e prokurorit që duhet të luftojë bandat, gjendet në makinë me to, nën breshërinë e plumbave me kriminelë ndër më të rrezikshmit. Kjo është vijë e kuqe dhe dëmtim i kartës morale të opozitës”, shkruan Salianji.
Ai nënvizon se demokratët dhe shoqëria kanë nevojë për zgjidhje reale për humbjet e njëpasnjëshme, për mungesën e protestave efektive dhe për paaftësinë për ta bërë Partinë Demokratike fituese, duke akuzuar drejtuesit aktualë se në vend të llogaridhënies, po përbaltojnë demokratët kritikë.
Në përfundim, Salianji shprehet se do të vijojë takimet me demokratët, ballë për ballë dhe pa kompromis, duke theksuar se opozita dhe qytetarët meritojnë rotacion politik dhe një PD fituese.



